Arbëri

Molliqaj: Lajmi i keq, opozita i ka nxjerrë disa kontabilistë kundër Kurtit

Dardan Molliqaj

Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, e ka quajtur lajm të keq qasjen e opozitës për përballjen e saj me Lëvizjen Vetëvendosje në fushatën për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.
Teksa e ka cilësuar arbitrar kryeministrin Albin Kurti dhe qeverisjen e tij, Molliqaj ka thënë se ky model po përballet me “disa kontabilistë të vendosur nga opozita”.

“Unë mendoj se kontabiliteti mundet me iu bë idesë e jo njëherë kontabilitet e pastaj me vendos ide. Për nga përkufizimi është sendi më i gabuar me thanë që i kam 100 euro e pastaj po këqyri qysh me i bë disa ide me 100 euro. Së pari e ke idenë e pastaj e këqyr sa para i ke, sa duhesh mi marrë e pastaj a mund ta realizosh apo kurrë. Ky ka qenë gabimi më i madh që ka bërë opozita. Opozita e cila s’ka qenë opozitë për katër vjet, s’ka për të mund të jetë opozitë as në fushatë e as në rezultat zgjedhor. Ky është lajmi i keq për Kosovën”, ka thënë ai të enjten në debatin në KTV.

Molliqaj ka thënë se PSD-ja s’ka pranuar të futet në lista të partive të tjera opozitare, për shkak të mospërshtatjes në kauza e program. Sipas tij, PSD-ja është zë autentik. Ai ka bërë të ditur se matjet kanë treguar që partia nuk ka mbështetje për ta kaluar pragun prej 5 për qind.

Fushata aktuale, sipas tij, po i përshtatet Kurtit, sepse “këta po flasin për numra në tubime, e njerëzit s’votojnë për numra në tubime”.

Sipas Molliqajt, opozita në fushatë po del me ide të njëjta si Vetëvendosja. 

“Në një rrafsh e kemi një VV të madhe dhe disa Vetëvendosje të vogla. Jo pse janë me to, por se ai thotë unë i rriti pagat 20 për qind, e kjo e vogla thotë 50 për qind. Ky thotë e refuzoj draftin, këta thonë do ta rishkruajmë”, ka thënë ai.

Sipas Molliqajt, opozita është dashur ta kundërshtonte Kurtin me më shumë ide.


Krasniqi: Molliqaj po e iluminon opozitën si të sillet me Kurtin e vetë s'po merr pjesë në zgjedhje

Gazetari Besnik Krasniqi ka thënë se kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj po e iluminon opozitën se si të sillet në raport me kryeministrin Albin Kurti, ndërsa vetë nuk merr pjesë në zgjedhje. 

Të enjten në “Zgjedhjet në KOHË”, përballë Molliqajt, Krasniqi ka thënë se Molliqaj po tenton të japë leksione për opozitën se si të sillet me Kurtin, ndërsa vetë ia hapë rrugën duke mos garuar në zgjedhje. 

“Molliqaj po e iluminon opozitën, po mundohet t’i japë leksione opozitës se çfarë të bëjë në raport me Kurtin. Po mundohet ta iluminojë opozitën, t’i tregojë se çfarë duhet të bëjë, në anën tjetër alarmon duke thënë se Kurti po dëshiron gjithçka, e do të gjithë pushtetin e në fakt qasja që Molliqaj dhe PSD-ja ka zgjedhur, është të marrë pjesë në zgjedhje, t’ia hapë rrugën Kurtit, pra merre atë që ti po e do”, ka thënë Krasniqi. 


Molliqaj: Kurti autoritar, synimi i tij delegjitimimi i mediave

Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, ka thënë se kryeministri Albin Kurti ka për qëllim t’i delegjitimojë mediat. 

Sipas tij, Kurti nuk i injoron mediat në kohë të fushatës parazgjedhore për arsye se u frikësohet atyre apo kundërshtarëve politikë, por e ka për qëllim delegjitimimin e rolit të tyre.

Molliqaj ka shtuar se Kurti ka dhënë shembuj të mjaftueshëm se është autoritar, teksa e ka krahasuar atë me kryeministrin hungarez, Viktor Orban. 

“Ka dhënë shembuj të mjaftueshëm për të treguar se është autoritar. E keni në fushatën e dytë të zgjedhjes së Viktor Orbanit që i ka bojkotuar mediat. Unë besoj se Kurti sot e ka përdorur atë gazetar për t’i sulmuar mediat kryesore në vend. Ai nuk është këtu, jo pse i frikësohet gazetarëve apo kundërshtarëve politikë, por në këtë proces zgjedhor e ka një rëndësi jetike me mediat, delegjitimimi i rolit ndërmjetësues të gazetarit ose të medias”, ka thënë Molliqaj.