Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës i është përgjigjur kërkesës së banorëve që jetojnë në kompleksin banesor në ish objektin e “Feronikelit” në sheshin “Adem Jashari” në Lipjan, pasi që një biznes privat e ka vendosur një ashensor përgjatë mureve të banesave pa pëlqimin e banorëve. Banorët ishin drejtuar edhe Komunë me peticion për t’ia ndërprerë punimet këtij biznesi i cili e kishte privatizuar objektin, mirëpo një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur me arsyetim se pronari i biznesit kishte marrë pëlqim nga administratori i kompleksit banesor. Por, sipas banorëve, ky administrator nuk jeton në të njëjtën hyrje dhe nuk mund t’i përfaqësojë banorët e një hyrje tjetër.
Ndërkohë e Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në përgjigjen e banorëve ka sqaruar se inspektorati i MMPHI-së në inspektimin e zhvilluar në drejtorinë e Inspektoratit në Komunën e Lipjanit si dhe në lokacion është konstatuar se punimet ndërtimore janë duke vazhduar në renovimin e objektit ekzistues të ish-“Feronikelit” si dhe për ndërtimin e ashensorit dhe shkallëve sipas pëlqimeve lëshuar nga DPUMM në Komunën e Lipjanit. “Bazuar në dispozitat e ligjit për ndërtim 04/L-110 neni 14 dhe udhëzimit administrativ 08/2013, konstatohet se për realizimin e punimeve për ndërtimin e ashensorit dhe shkallëve kërkohet pajisje me leje ndërtimore, prandaj punimet nuk mund të realizohen bazuar në pëlqimin nr.8-351-38012 të datës 16.08.2021.
Bazuar në konstatimet e lartcekura është urdhëruar inspektorati i Komunës së Lipjanit që menjëherë t’i ndaloj punimet dhe të urdhëroj investitorin që t’i drejtohet organit kompetent për t’u pajisur me leje ndërtimore”, thuhet në përgjigjen e MMPHI-së dërguar banorëve. Sipas tyre inspektorati i Komunës së Lipjanit ka zbatuar urdhëresën dhe me vendimin Nr.11-354-716074 të datës 16.11.2021 ka urdhëruar investitorin t’i ndaloj punimet derisa të pajiset me leje ndërtimore.
Ndërkaq, në anën tjetër, Igballe Aliu iniciatore e kërkesës në MMPHI, ka thënë se banorët janë të shqetësuar dhe të pakënaqur me njoftimin e ministrisë së Ambientit lidhur me këtë çështje.
“Arsyeja qëndron sepse ministria nuk janë thirrur fare në mos pëlqimin e banorëve dhe pengesat për vendosjen e ashensorit dhe se pëlqimi është dhënë nga një banor i cili nuk i përket hyrjes sonë. Në njoftim thuhet të ndërpriten punimet deri të pajiset me leje ndërtimi, do të thotë nuk kemi marr përgjigje konkrete në lidhje për atë çka kemi kërkuar ne si banor. Prandaj është shqetësuese se si ashensori po vendoset përgjatë mureve të dhomave të gjumit pa pëlqimin e banorëve të hyrjes sonë”, ka thënë Aliu.