Ndotja e lumit Drenica nga fabrika e “Ferronikelit”, sipas Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, është ndotje e zakonshme që ndodh në çdo kohë në ujërat e shkarkuara sanitare gjithandej Kosovës. Është dhënë ky vlerësim, ani se ka banorë që thanë se u është dashur trajtim mjekësor shkaku i efekteve të ndotjes
Hedhja e mazutit në lumin Drenica, sipas Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, nuk është asgjë më shumë sesa një ndotje e zakonshme që bëhet në lumenjtë e Kosovës.
Ani se KOHA raportoi të hënën se pas një avarie që ndodhi në kompleksin metalurgjik “Ferronikeli” në Drenas ka pasur një rrjedhje të mazutit në lumin Drenica, nga mostrat e marra nga Ministria del se është ndotje e njëjtë siç ndodh gjithandej Kosovës.
Gjurmët e mazutit në ujë dhe ngjyra që dallon mes dy rrjedhave që bashkohen shihen në pamjet e xhiruara nga banorët menjëherë pas shkarkimit prej “Ferronikelit”, por edhe një ditë pas kur vendin e vizitoi ekipi i KOHËS. Ajo që nuk mund të ndihet nga pamjet është kundërmimi i rëndë i mazutit, për çka qytetarët e kësaj ane janë ankuar.
“Po, unë vetë në spital jam kanë shkaku i kësaj ere. Edhe kurrë nuk mundem të ec. Kam qejf të ec nga pak, por nuk mundem të ec për shkak të erës”, ka thënë Ajmane Smakiqi, qytetare e Drenasit, që banon afër vendit ku hedhen edhe mbetje industriale.
Derisa ekipi i KOHËS ka qenë në terren, punëtorë të fabrikës u munduan që t’i pastrojnë gjurmët e ndotjes së shkaktuar një ditë më parë nga mazuti. Me gjithë përpjekjen e tyre, njollat e zeza shiheshin në rrjedhë dhe në brigjet e lumit.
Të njëjtën ditë, mostrat i janë marrë nga zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit dhe janë përcjellë për analiza. Por, në Ministri nuk kanë shprehur shqetësim pas pranimit të rezultateve.
“Mostrat janë analizuar nga ekspertët edhe në terren, edhe në laboratorin e Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës. Rezultatet tregojnë se cilësia e ujerave të këtyre dy mostrave nuk ka ndonjë ndryshim nga ndotjet e zakonta që ndodhin çdo kohë në ujërat e shkarkuara sanitare gjithandej në Kosovë”, thuhet një përgjigje të Ministrisë, dhënë për KOHËN.
Nuk është hera e parë që lumi Drenica ndotet nga ujërat që shkarkohen nga fabrika e “Ferronikelit”, e cila së fundmi ka ndërruar pronarin dhe nga e mërkura ka rinisur punën, pas një pauze prej më shumë se një viti e gjysmë.
Pas shkarkimit të mazutit në lumë, KOHA ka adresuar pyetje në kompani, por nuk ka pranuar përgjigje nga e hëna.
E në Ministri thonë se probleme me ndotje ka në gjithë lumenjtë e Kosovës. Sipas saj, nga të dhënat që kanë dhe analizat që kryhen në Institutin e Hidrometeorologjisë rezulton se lumi Prishtevka është më i ndoturi, pasi aty shkarkohet kolektori i ujërave të Prishtinës. Mes të ndoturve është edhe lumi që kalon nëpër Shtime.
E Bardhyl Rushiti, drejtor i Shërbimeve Publike në Shtime, thotë se përbën problem parandalimi i ndotjes, pasi kjo komunë ka vetëm një inspektor.
“Ka gjoba mandatore, por problemi prapë vazhdon. Pasi me një inspektor nuk mund të mirëmbahet i gjithë terreni”, ka thënë Rushiti.
Ujërat e ndotura urbane dhe industriale aktualisht konsiderohen burim kryesor i ndotjes së lumenjve në Kosovë.