Arbëri

MMPHI-ja dërgon për analiza mostra të ujit të lumit Drenica pas rrjedhjeve nga “Ferronikeli”

Inspektorati i Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës ka dërguar për analiza mostra të ujit të lumit Drenica pas lajmërimit për shkarkime ujore nga deponia e skories së fabrikës së “Ferronikelit”.

Në një përgjigje për KOHËN, nga MMPHI-ja kanë thënë se janë në pritje të analizave që bëhen në Institutin Hidrometeorologjik të Kosovës. Sapo të jenë rezultatet, MMPHI-ja ka thënë se do të veprohet “sipas gjetjeve të analizave laboratorike”.

Në përgjigjen për raportimet që skoria ishte në kontakt me ujin, MMPHI-ja ka thënë se vazhdimisht “inspekton të gjithë operatorët e mëdhenj që me veprimin e tyre kanë ndikim në mjedis”.

Nga kjo ministri kanë bërë të ditur se para ca kohësh, “Ferronikeli” ishte gjobitur me 20 mijë euro gjobë, për keqmenaxhimin e deponisë së skorjes në Qikatovë.

“Më pas kemi pasur lajmërim para ca ditësh nga inspektorati i komunës së Drenasit lidhur me ndotjen e lumit Drenica, sipas të cilëve ka pasur shkarkime ujore në rrjedhën ujore të lumit Drenica. Inspektorati i MMPHI me të marrë këtë informatë, së bashku me IHMK, kanë dalë dhe kanë marrë mostrat e ujit për analiza. Analizat i bën IHMK. Akoma rezultatet e analizave nuk na kanë ardhur. Sapo t’i kemi, do të veprohet sipas të gjeturave të analizave laboratorike”, thuhet në përgjigjen e MMPHI-së.

Sipas kësaj ministrie, javën e shkuar “Ferronikeli” ka njoftuar për një avari që ka zgjatur shkurt dhe është sanuar. Kjo ministri ka thënë se ankesa të tjera s’ka pasur.