Arbëri

MKRS paralajmëron kallëzim penal ndaj Komunës së Prishtinës, s’miraton dorëheqjen e Hakajt

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit i ka konsideruar “të pabazuara dhe manipulative” pretendimet e kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, që qeverisja qendrore po i bllokon dhe ndalon projektet kapitale të Komunës së Prishtinës.

Në reagimin e MKRS-së thuhet se Komuna po vepron njëanshëm me disa projekte në kryeqytet.

“Në fakt, është vet ajo që ka vepruar dhe po vazhdon të veprojë në kundërshtim me ligjin për trashëgiminë kulturore e ligjet tjera dhe po e dëmton buxhetin e shtetit, e cenon interesin publik. Ministria e Kulturës, në vazhdimësi është sfiduar me veprimet e njëanshme të Komunës së Prishtinës, përkatësisht për projektin e sheshit ‘Xhorxh Bush’, atë të ‘Ishullit Urban’, Rrugës ‘Rexhep Luci’ dhe projektin te Rruga ‘Agim Ramadani’”, thuhet në reagim.

Ndërkaq, ngritjen e kallëzimit penal ndaj inspektorit të Inspektoratit të Trashëgimisë Kulturore, Pajtim Zogaj, MKRS e ka parë si “formë e presionit ndaj zyrtarëve që zbatojnë ligjin, i pabazuar e tendencioz”.

Sipas saj,  ky veprim vjen pasi MKRS, me datën 2 prill 2025, ka dorëzuar kërkesën për fillim të hetimeve për ndërhyrje pa leje në zona të mbrojtura të trashëgimisë kulturore nga ana e Komunës së Prishtinës, ku, siç ka thënë tutje, ka argumentuar shkeljet që janë bërë në këto projekte. 

Ministria ka bërë të ditur se kallëzimit penal ndaj Zogajt, do t’i përgjigjet me kallëzim penal për kallëzim të rrejshëm. E, dorëheqjen e drejtorit të Inspektoratit, Imer Hakaj, ministria thotë se nuk e miraton. 

“Kallëzimit penal ndaj zyrtarit të Inspektoratit të Trashëgimisë Kulturore, do t'i përgjigjemi me kallëzim penal për kallëzim të rrejshëm, ndërsa dorëheqja e drejtorit të ITK-së, Imer Hakaj nuk miratohet, kjo pasi gjithë puna e bërë deri tani është brenda mandatit të tij. Inspektorati ka vepruar në përputhje të plotë me legjislacionin në fuqi dhe brenda autorizimeve ligjore. Ne, konsiderojmë që veprimet e përsëritura, të qëllimshme dhe me paramendim të Komunës së Prishtinës, nuk paraqesin vetëm shkelje procedurale, por kemi dyshime të bazuara për keqpërdorim dhe dëmtim të buxhetit publik”, ka thënë tutje MKRS. 

MKRS, po ashtu në muajin dhjetor 2024, ka ngritur kallëzim penal ndaj kryetarit të Prishtinës për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, pasi ka thënë se Rama ka lidhur kontratë mbi 6.5 milionë euro, pa leje sipas ligjit për trashëgimi, ka kryer afër 1.5 milionë euro pagesa të paligjshme, dhe se ka kontraktuar punë në pronën e dhënë në shfrytëzim afatgjatë për ndërtimin e TOB.