Arbëri

Mjetet e konfiskuara në Banjskë i jepen për shfrytëzim Policisë së Kosovës

Mjetet e konfiskuara në Banjskë

Disa nga mjetet e konfiskuara në Banjskë

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se 31 mjete transportuese të konfiskuara në Banjskë i janë dhënë për shfrytëzim Policisë së Kosovës.

Në një prononcim për media të enjten në hollin e Kuvendit, Haxhiu ka thënë se mjetet do të përdoren për nevojat e Policisë së Kosovës.

“Para pak kohësh, Agjencia për Konfiskim dhe Menaxhim të Pasurisë së Sekuestruar apo të konfiskuar ka pranuar vendimin e Gjykatës që ndërlidhet me konfiskimin e 31 mjeteve transportuese të cilat ndërlidhet me rastin që po hetohet nga Prokuroria Speciale, pra rasti Banjska. Janë 31 mjete të konfiskuara dhe të cilat Ministria e Drejtësisë ia ka dhënë në shfrytëzim Policisë së Kosovës për nevojat të cilat i ka. 31 mjete transportuese i janë konfiskuar Milan Radoiçiqit me vendim te Ministrisë së Drejtësisë, te njëjtat i janë dhënë për përdorim Policisë së Kosovës për nevojat e tyre”, ka thënë ministrja e Drejtësisë të enjten.

Ajo është shprehur e befasuar që ende s’ka aktakuzë për Milan Radoiçiqin.

“Jemi te befasuar se si ende pas sulmit ne Banjskë, nuk ka aktakuzë për kryekriminelin Milan Radojiçiq dhe grupin e tij. Unë i bashkohem thirrjes se kryeministrit, Serbia duhet ta ekstradojë Milan Radojiçiqin dhe grupin e tij, që të njëjtit të dalin para drejtësisë, sepse ata tashmë janë vendosur edhe në listën e Interpol-it”, ka deklaruar Haxhiu.

Më 24 shtator të vitit të kaluar, në Banjskë në veri të Kosovës, një grup i armatosur serb e ka sulmuar Policinë e Kosovës, duke e vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.

Kosova e konsideron këtë sulm si terrorist dhe e fajëson shtetin e Serbisë për organizim dhe kryerje të tij, derisa Beogradi zyrtar mohon diçka të tillë.

Përgjegjësinë për sulmin e ka marrë ish-nënkryetari i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, Milan Radoiçiq. Ai ishte arrestuar e më pas liruar nga autoritetet serbe. Vazhdon të jetë i lirë, edhe pse është në listën e kërkimit të INTERPOL-it.

LEXO EDHE: