Lulzim Rafuna, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, ka thënë se nëse bizneset do të dalin në treg të hapur të energjisë elektrike, bazuar në njoftimin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, në fund do ta pësojnë qytetarët.
Duke folur në “Konfront” të KTV-së për paralajmërimin që prej 1 qershori bizneset me mbi 50 punëtorë apo qarkullim mbi 10 milionë euro të dalin në treg të hapur, Rafuna ka thënë se bizneset konsiderojnë se s’është koha e duhur për të dalë në treg të tillë. Ai ka thënë se bizneset kërkojnë që propozimi të shtyhet së paku edhe për një vit. Ai është ankuar për mungesë dialogu me bizneset.
“Shqetësimi më i madh i joni është te prodhimtaria. 197 kompani që preken direkt dhe që janë prodhuese. Të gjitha kontratat për shitjen e mallit janë me afat minimal 1-vjeçar. Dhe sipas analizave dhe të dhënave nëse blihet prej tregut të lirë është 50-100 për qind më shtrenjtë se që po blejnë nga KEDS-i apo përmes çmimit të rregulluar dhe kjo ka efekt direkt në shpenzimet operative të biznesit dhe ndikon drejtpërdrejt në shtrenjtimin e produktit që po prodhojnë dhe në fund i faturohet konsumatorit sepse ai e blen këtë produkt”, ka thënë ai.
Ai ka komentuar edhe faktin që edhe kërkesa për shtrenjtim të rrymës për qytetarët dhe propozimi që bizneset të dalin në treg të lirë, erdhi në kohën e njëjtë.
“S’besoj që është rastësi. Zyrtarisht s’kam të dhëna por çon te drejtimi të dyshohet sepse kërkesa e KEDS-it fillimisht ka qenë për shtrenjtim 35 për qind. Dhe tani vije te zbritja në 15 për qind. Kur u propozua 35 për qind s’ka qenë propozimi që bizneset të jenë në treg të hapur. Pra është sikur njëfarë forme si mundësi që të shkohet me 15 për qind por edhe të largohen bizneset në treg të hapur”, u shpreh tutje ai.
Dakaj: ZRRE-ja po dëshiron t'i bëjë favor KEDS-it në prag të remonteve në KEK
Gazetari Shkëlzen Dakaj ka deklaruar se Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) po i bën favor KEDS-it me rritjen kalimin e bizneseve në treg të hapur, duke shtuar se sivjet pritet të bëhen remonte të dy blloqeve.
Ai ka shtuar se me këtë veprim, ZRRE-ja s’dëshiron që KEDS-i të mos ketë barrën për furnizim të bizneseve me rrymë.
“Këtë vit, KEDS-i që të mos ketë barrën e furnizimit të bizneseve për shkak se është paraparë që të shkojnë në remont kapital. Ky remont, servisimi i tyre, janë jashtë prodhimit për kah 6 muaj. 12 muaj s’do t’i kemi kapacitetet e saj. ZRRE-ja po e bën këtë favor që të mos e marrë barrën e madhe të furnizimit të bizneseve. Pret që bizneset të furnizohen nga tregu i hapur”, ka thënë ai.
Haxhimusa: 90% e bizneseve nuk do të kenë qasje në rrymën e lirë të KEK-ut
Eksperti i çështjeve të energjisë, Adhurim Haxhimusa, ka deklaruar se me çështjen e kalimit të bizneseve në treg të hapur, 90 për qind e bizneseve s’do të mund ta shfrytëzojnë rrymën e lirë nga Korporata Energjetike e Kosovës.
Ai është shprehur të enjten në Konfront të KTV-së se mungon një reflektim i daljes së bizneseve në treg të hapur dhe efektet e saj.
“Mungon një reflektim i daljes së këtyre bizneseve në treg të hapur dhe efektet e saj në amvisëri. Kjo është një kuti e zezë që nuk kemi asnjë informacion...Bizneset do t’i ekspozohen rrezikut të çmimeve nga importi”, ka deklaruar Haxhimusa.
Ai ka shtuar se kjo nënkupton që nga 90 deri në 100 për qind e amvisërisë do të furnizohen nga KEK-u.
Mjeku: Do të qëndrojmë para zyrave të ZRRE-së derisa të zmbrapset
Aktivistja Anita Mjeku ka thënë se grupi “Asnjë cent ma shumë” nuk do të ndalë protestat dhe kundërshtimet ndaj shtrenjtimit të rrymës, deri sa Zyra e Rregullatorit të Energjisë të mos zmbrapset nga propozimi që energjia të shtrenjtohet për 15 për qind.
Ajo ka thënë se aktivistët do të përdorin çdo mjet demokratik për të kundërshtuar propozimin.
“Prej kur jemi angazhuar kemi pa që kryeshefi i bordit të ZRRE-së na tha se nëse gjeni ma lirë dilni e blijeni vet e pastaj prej presionit publik që ndodhi, ne e pamë që na tha se ngadalë se ende s’është marrë vendimi dhe do të shohim e i kemi hapur e-mailat dhe jemi të hapur për sugjerime. Duke parë këtë ‘zmbrapsje’ dhe revoltë qytetare, ne jemi të bindur se ZRRE-ja duhet të tërhiqet nga vendimi. Ne kemi qenë dje e sot dhe do të jemi para zyrave deri sa të marrin vendim për të mos marrë vendim për rritje të çmimit. Do të përdorim çdo mjet demokratik”, ka thënë ajo në “Konfront” të KTV-së të enjten.
E sipas saj, po që se ZRRE-ja vendos për shtrenjtim, atëherë do të shihen metoda të tjera për të kundërshtuar.