Vetiniciativa e një mjeku të QKUK-së për t’u trajnuar për ndërhyrje në një patologji që nuk bëhej në Klinikën e Syve në QKUK, ka bërë që kjo klinikë ta ulë në mënyrë drastike numrin e referimeve për në spitale private. Një mjek ka shkuar në Indi dhe ka kryer trajnimin për një sëmundje që referohej me së shpeshti në privat. Ministria e Shëndetësisë e ka mbështetur me vetëm 5 mijë euro, ndërsa pjesën tjetër e ka paguar vetë. Në vitin 2021 kanë kryer 355 ndërhyrje që më herët referoheshin në privat
Me pak përpjekje Klinika e Syve në QKUK ka arritur t’ia kursejë qindra mijëra euro në vit buxhetit të Programit për Trajtim Jashtë Vendit.
Dikur kjo klinikë ka pasur numër rekord referimesh.
Patologjia më e shpeshtë e referuar nga kjo klinikë ishte “Pars Plana Vitrectomi plus silicon oil”.
Brenda dite referoheshin disa raste të tilla.
“Kjo procedurë nuk mund të bëhet në Klinikën e Syve, SHSKUK, për shkak të rrezikshmërisë së rastit, komplikimeve të mundshme si dhe disa mungesave teknologjike, rasti referohet në qendra me të avancuara”, thuhej në një referim të dhjetorit 2019.
Kostoja e këtyre referimeve për muaj niste nga 80 mijë euro e ndonjëherë arrinte vlerën 200 mijë euro në muaj.
Çmimet për ndërhyrje të tilla që nuk kryheshin në QKUK e që paguheshin nga Fondi i Sigurimit Shëndetësor ishte nga 2 mijë deri në 7 mijë euro.
Nga viti 2020, në këtë klinikë kanë filluar të trajtohen më shumë patologji. E, në vitin 2021 kostoja e shpenzimeve për këtë klinikë ka rënë dukshëm.
KOHA ka mësuar që me vetiniciativë dy mjekë të kësaj klinike kanë shkuar për trajnim. Njëri nga ta kishte shkuar në Indi për trajnim. Ministria e Shëndetësisë e kishte ndihmuar me vetëm 5 mijë euro. Tjetri me vetinciativë ishte trajnuar në Shkup. Atij i ishte bashkuar edhe mjeku që paraprakisht kishte kryer trajnimin në Indi.
Kur janë kthyer, kanë trajnuar stafin e mesëm e një pjesë të mjekëve të klinikës. Kjo ka ulur në mënyrë drastike referimet në spitalet e klinikat private. Nga 200 mijë euro dikur, në qershorin e vitit 221 janë referuar raste që kanë kosto 36 mijë euro.
Nga QKUK-ja kanë dhënë detaje më shumë për punën e kësaj klinike. Kanë përmendur që mjekët janë trajnuar, por nuk kanë treguar që trajnimi i tyre ka ndodhur me vetiniciativë.
“Ju informojmë se në Kliniken e Syve, QKUK, në vitin 2019 kanë filluar operimet ne segmentin e pasmë të syrit respektivisht edhe operimet Pars Plana Vitrectomi plus silicon oil. Operimet në segmentin e pasmë të syrit kanë filluar pasi që paraprakisht janë siguruar pajisjet e nevojshme si dhe është trajnuar stafi për ofrimin e këtyre shërbimeve në Klinikën e Syve, QKUK”, thuhet në përgjigjen e zyrës së drejtorit në SHSKUK.
Në vitin 2019, kjo klinikë ka kryer 15 ndërhyrje të tilla, vitin e kaluar numri i operimeve të tilla ka kaluar 300-shin.
“Numri i operimeve në segmentin e pasmë të syve pastaj gradualisht është rritur dhe në vazhdim po ju prezantojmë numrin e intervenimeve në segmentin e pasmë të syrit që janë realizuar në Klinikën e Syve, QKUK, si vijon: në vitin 2019 janë realizuar 15 operime, në vitin 2020 janë realizuar 161 operime si dhe në vitin 2021 janë realizuar 355 operime”, thuhet në përgjigje.
KOHA për më shumë së dy javë e ka publikuar hulumtimin në lidhje me Programin për Trajtim Jashtë Institucioneve Publike Shëndetësore. Hulumtimi ka argumentuar që procesi i dërgimit për trajtim jashtë QKUK ka probleme qysh në hallkën e parë që janë spitalet publike. E Fondi i Sigurimit Shëndetësor nuk ka asnjë kontroll mbi këtë program. Kjo ka bërë që shumë herë spitaleve private t’u paguhen faturat me çmime abuzive.