Arbëri

Mjekët e shëndetit primar në Pejë ankohen në ordinancat private

Në Qendrat e mjekësisë familjare dhe ambulancat e Pejës, jo vetëm pandemia dhe pasojat e saj, kanë shtuar numrin e pacientëve, por sipas personelit mjekësor të shëndetit primar, qe disa muaj punën ua kanë ngarkuar tepër edhe ordinancat private specialistike.

Veçanërisht kjo vërehet në qendrat e shëndetit që mbulojnë disa lagje të mëdha të qytetit, sikur që është edhe Qendra e Mjekësisë Familjare numër 5 që mbulon tri lagjet e mëdha të Pejës dhe në të cilën gjendet edhe qendra e vetme për Covid-19 për tërë Pejën.

Shefi i njësisë në këtë qendër mjekësore, Mentor Zhara, tregon se deri tash secilit pacient që ka ardhur nga ordinancat private, i është dhënë terapia parenterale, por sipas tij me udhëzimin administrativ të Ministrisë së Shëndetësisë, zbatimi i terapisë bëhet në ordinancën ku edhe është kontrolluar pacienti.

“Në QMF 5 i mbulojmë tri lagjet ndër më të mëdha në Pejë dhe stafi është i stërngarkuar edhe me pacientë të tjerëve. Normal duhet të kryhen shërbimet dhe ne e kryejmë atë shërbim, se pala e do shërbimin dhe nuk është fajtore për asgjë. Fajtorë jemi ne që nuk i vëmë në binarë disa gjëra, sepse sipas udhëzimit administrativ të Ministrisë së Shëndetësisë, ordinanca private duhet ta ketë edhe personelin për zbatimin e terapisë. Pse mos t’i jepet terapia në ordinancën ku edhe është bërë kontrolli. A do mjeku konkret mi kursye 300 euro me pagu një motër ose dy, apo diçka tjetër, unë nuk e di”, thotë Zhara.

Sipas tij, 90 për qind e rasteve që ju shkojnë për terapi, në udhëzime mungon vula e rrumbullakët, që duhet ta kenë ordinancat e licencuara, si dhe mungon edhe kuponi fiskal i ordinancës.

“Me udhëzimin administrativ të Ministrisë së Shëndetësisë, nëse nuk gaboj është neni 7 i atij udhëzimi, që thotë se një ordinancë private, e cila nuk posedon vulë të rrumbullakët, është e palicencuar. E neve 90 për qind të rasteve na vijnë pa vule të rrumbullakët në të cilën ceket që është private dhe emri i ordinancës. Punën e këtyre ordinancave private duhet të përcillet nga inspektorët komunalë apo ministrorë”, thotë Zhara.

KOHA ka kontaktuar disa ordinanca private specialistike, por mjekët, që janë pronarë të tyre, nuk kanë pranuar të flasin.

Drejtori i Shëndetësisë në Pejë, Petrit Loci, tha se për mbarëvajtjen dhe respektimin e licencave apo të moslicencimit të ordinancave private, nuk është punë e komunës, por përgjegjësi e inspektoratit shëndetësor të Ministrisë së Shëndetësisë, i cili i licencon këto ordinanca.

“Kjo temë s’ka të bëjë me inspektorat komunal apo komunën. Çështje të tilla i takojnë Inspektoratit Shëndetësor të Ministrisë së Shëndetësisë, i cili është i obliguar që të verifikojë institucionet shëndetësore private se a janë të licencuara apo nuk janë të licencuara, pasi edhe në licencë shënohen edhe aktivitet të cilat mund t’i ushtrojë një ordinancë private. Gjithçka është e qartë dhe këtu kemi me zbatim ose me moszbatim të kushteve”, tha Loci.

Për shqetësimet e ngritura nga mjekët e shëndetit primar, KOHA ka kontaktuar edhe Inspektoratin e Shëndetësisë në Ministrinë e Shëndetësisë, por deri në momentin e raportimit nuk ka marrë përgjigje.