Arbëri

Mitrovica rrënon objektet pa leje, u del në ndihmë banorëve

Komuna e Mitrovicës ka nisur të rrënojë objektet pa leje në afërsi të liqenit akumulues të lumit Ibër.

I pranishëm në këtë rast, ishte edhe drejtori i Inspekcionit, Hysni Ahmeti, i cili tha se rrënimi i këtyre shtëpive po ndodh për të liruar pronën e Komunës, në mënyrë që të vazhdohet më tutje implementimi i projekti të Liqenit Akumulues.

“Komuna e Mitrovicës sot ka filluar t’i rrënojë objektet pa leje të cilat janë ndërtuar që nga fillimi pa leje komunale prandaj ne si drejtori jemi të obliguar që të marrim këtë aksion. Të gjithë banorët paraprakisht kanë qenë të njoftuar që shtëpitë e tyre janë të ndërtuara në pronë komunale dhe se duhet liruar ato prona që sa më parë të implementohet projekti madhor i liqenit”, ka theksuar Ahmeti.

Ahmeti, më tej ka shtuar se komuna e Mitrovicës gjegjësisht drejtoria për Integrime Evropiane dhe Mirëqenie Sociale duke e pasur parasysh situatën e banorëve të këtyre shtëpive ka marrë përsipër t’ua paguaj qiranë dhe është e angazhuar të ofrojë një zgjidhje më afatgjatë për ta.