Arbëri

Mitrovica bëhet me shtatoren e Adem Jasharit e Peja me të Ibrahim Rugovës

Në këtë përvjetor të pavarësisë, u janë ngritur shtatore figurave me të cilat identifikohen dy lëvizjet që çuan deri te shpallja e pavarësisë. Në qendër të Mitrovicës u përurua shtatorja e komandantit të UÇK-së, Adem Jashari, e në Pejë, ajo e presidentit Ibrahim Rugova

Për 16-vjetorin e Pavarësisë, Komuna e Mitrovicës dhe ajo e Pejës i nderuan figurat me të cilat identifikohen dy lëvizjet që e shtruan rrugën drejt shpalljes së shtetësisë së Kosovës.

Në qytetin e Mitrovicës, u inaugurua shtatorja e komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari. Ajo u vendos në sheshin që e mban emrin e komandantit legjendar.

Qytetarë të shumtë u mblodhën për të parë shtatoren më të re të qytetit të tyre.

E Bedri Hamza, kryetar i Mitrovicës, ka thënë se ngritja e shtatores e lartëson sakrificën që e bëri familja Jashari.

“Sakrifica e familjes Jashari simbolizon dhe sintetizon historinë e gjithë familjeve të Kosovës për liri dhe pavarësi. Sakrifica e kësaj familjeje në krye me komandantin Adem Jashari vuri në lëvizje historinë në dy drejtime: Në rrafshin kombëtar me shkallën më të lartë të trimërisë, guximit atdhetar që ndikoi rrënjësisht në rritjen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës; Në rrafshin ndërkombëtar me sakrificën e tyre familja Jashari vuri në lëvizje mekanizmat e shteteve ndërkombëtare”, ka thënë Hamza.

Të pranishëm në ceremoninë e zbulimit të shtatores ishin dhe anëtarë të familjes Jashari.

“E kemi festën e 16-vjetorit të shtetit të Kosovës. Urime së pari Pavarësia të gjithëve dhe gjithë shqiptarëve kudo që gjenden brenda dhe jashtë Kosovës dhe urime edhe shtatorja. T’i gëzojmë së bashku”, ka thënë Rifat Jashari, anëtar i familjes Jashari.

E në Pejë, te Parku i Paqes, u bë zbulimi i shtatores së presidentit të ndjerë, Ibrahim Rugova. Për nisjen e kësaj ceremonie, u prit kryetari i Lidhjes Demokratike, Lumir Abdixhiku, e delegacioni partiak që u vonuan për 35 minuta.

Pas mbërritjes, Abdixhiku ka thënë para qytetarëve të Pejës se vendosja e shtatores në qytetin ku presidenti Rugova e përfundoi shkollimin e mesëm, përbën nderim për Republikën.

“Politika rugoviste përball represionit militar dhe gjenocidal të Serbisë, u bë ftesë e intervenimeve ndërkombëtare e aleatëve tonë, SHBA-së dhe shteteve në Evropë. Rezistenca e shqiptarëve, aleanca perëndimore e kurorëzuar me intervenim ushtarak të NATO-s si dhe vetë liria dhe pavarësia e Kosovës e mbajnë vulën e Ibrahim Rugovës”, ka thënë ai.

Me shtatoren e punuar nga skulptori Gëzim Muriqi, u ndanë të kënaqur familjarët e presidentit Rugova.

I biri i tij, Ukë Rugova, vlerësoi se ky është një moment i veçantë për familjen.

“Ta gëzojmë këtë shtatore të gjithë së bashku. Zoti të vazhdojë të bekojë Republikën e Kosovës dhe popullin e saj të mrekullueshëm dhe mbi të gjitha të vazhdojë të bekojë miqtë e vërtetë të Republikës së Kosovës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe bashkësinë evropiane”, ka thënë ai.

Krahas ngritjes së shtatoreve, përvjetori i Pavarësisë në Mitrovicë dhe në Pejë është shënuar edhe me seanca solemne të kuvendeve komunale e me aktivitete kulturore.

Në Mitrovicë u hap ekspozita me fotografi nga momentet e shpalljes së Pavarësisë, e në Pejë ekspozitës festive “Ulpiana 5 plus 1”.