Arbëri

Misioni i BE-së: Grenell ndërhyri në proces zgjedhor, LVV-ja përdori gjuhë të ashpër

Deklarata kritikuese e emisarit amerikan për misione të posaçme, Richard Grenell, ndaj kryeministrit Albin Kurti, në kohë fushate, është cilësuar si jodiplomatike dhe ndërhyrje në proces zgjedhor nga misioni i BE-së për vëzhgimin e zgjedhjeve të 9 shkurtit. Ky mision ka shprehur shqetësim edhe për gjuhën e ashpër të përdorur nga partitë në fushatë, sidomos nga ajo në pushtet

Misioni vëzhgues i Bashkimit Evropian i ka vlerësuar zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit në Kosovë si pozitive dhe të qeta, por ka përmendur edhe disa të meta. 

Ky mision e ka cilësuar ndërhyrje në proces zgjedhor kritikën që emisari amerikan për misione të posaçme, Richard Grenell, ia bëri kryeministrit Albin Kurti gjatë fushatës zgjedhore. 

Në një konferencë për media, të martën, ku është dhënë deklarata preliminare për mbarëvajtjen e zgjedhjeve, shefja e misionit Natalie Loiseau ka thënë se deklarata e Grenellit ishte jodiplomatike. 

“Gjatë fushatës ne kemi qenë dëshmitarë të ndërhyrjeve nga emisari special amerikan, Richard Grenell në media sociale, që kritikoi kryeministrin Albin Kurit. Mund të përshkruhet si mjet shumë jodiplomatik”, ka thënë ajo.

Grenell në një postim në rrjetet sociale pati shkruar se “e gjithë bashkësia ndërkombëtare është kundër Kurtit” dhe se “marrëdhëniet SHBA-Kosovë kurrë nuk kanë qenë në nivel më të ulët”.

Ndonëse në përgjithësi procesi zgjedhor është vlerësuar se demonstroi qëndrueshmëri dhe përkushtim ndaj parimeve demokratike, janë dhënë kritika për gjuhën e përdorur në fushatë zgjedhore, duke nënvizuar se gratë kandidate u janë nënshtruar sulmeve verbale seksiste dhe se patën më pak mbulueshmëri mediatike.

Është përmendur numri i madh i rasteve të paraqitura në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, që rezultuan me shqiptim të gjobave të larta për shkelje të kodit të mirësjelljes. 

Loiseau ka thënë se fushata është karakterizuar me gjuhë të ashpër të partive politike, e sidomos atë të përdorur nga Lëvizja Vetëvendosje. 

“Ne kemi vërejtur përdorimin e gjuhës nxitëse dhe sulmet verbale për kundërshtarët në mitingje dhe debate televizive. Kjo ka reflektuar edhe në mediat sociale. Ne kemi parë me brengosje gjuhën negative nga partia në pushtet ndaj medias dhe gjyqësorit. Bojkotimi i mediave specifike dhe debateve ka ulur mundësinë që votuesit të bëjnë një zgjedhje të mirinformuar”, ka thënë ajo.

Shefja e misionit ka thënë se pati ndërhyrje edhe nga Beogradi e presion nga Lista Serbe mbi votuesit serbë.

“U raportua për presion nga Lista Serbe mbi votuesit dhe kishte ndërhyrje të përsëritur nga Serbia”, është shprehur ajo.

Këtë e ka konfirmuar edhe shefja e delegacionit të Parlamenti Evropian, Marta Temido, tek ka thënë se ende mungon pluralizmi politik mes komunitetit serb në Kosovë.

“Ne kuptojmë se autoritet e Serbisë kanë ndërhyrë seriozisht duke mbështetur një nga 6 partitë serbe të Kosovës. Disa nga vëzhguesit tanë gjithashtu kanë raportuar për presion mbi votuesit serbë. Mungesa e pluralizmit politik tek komuniteti serb, nuk është e shëndoshë për demokracinë dhe nuk mund të injorohet”, ka deklaruar Temido.

Në deklaratën preliminare janë përmendur rënia e sistemit të TI-së së KQZ-së për t’i publikuar rezultatet dhe është thënë se edhe pse ato është dashur të përpunoheshin manualisht, procesi ishte transparent. Megjithatë Temido e ka vlerësuar për keqardhje dështimin e KQZ-së në publikim të rezultateve.

“Dështimi për të garantuar publikim me kohë të rezultateve zgjedhore është për keqardhje”, ka thënë ajo.

Mekanizmi ndërkombëtar ka thënë se në KQZ pati ndikime politike gjatë procesit zgjedhor, që edhe i ka dhënë hije të keqe këtij institucioni me tentimin për moscertifikim të Listës Serbe.

“KQZ-ja u përfshi në mosmarrëveshje politike dhe politizoi disa aspekte teknike të procesit zgjedhor. Përpjekja e anëtarëve të KQZ-së të emëruar nga Lëvizja Vetëvendosje për të parandaluar certifikimin e Listës Serbe dhe bllokimi i shpërndarjes së fondeve publike për partitë politike vunë presion të konsiderueshëm mbi institucionin”, thuhet në deklaratën preliminare.

Brengosëse, sipas misionit, është edhe mbetja e Komisionit të Pavarur të Mediave pa kuorum në kohë fushate, duke e pamundësuar vendimmarrjen.

“Komisioni i Pavarur i Mediave humbi kuorumin e tij tri javë para ditës së zgjedhjeve, duke dështuar kështu të sanksionojë shkeljet e shumta mediatike gjatë fushatës. Transmetuesi publik RTK1 ofroi mbulim të barabartë në lajme për garuesit kryesorë. Pavarësisht financimit të dobët, RTK2, transmetuesi publik në gjuhët e komuniteteve joshumicë, organizoi debate, por shikueshmëria e tij e kufizuar dhe refuzimi i LS-së që të marrë pjesë i lanë partitë e tjera të serbëve të Kosovës me mundësi minimale për fushatë përtej mediave sociale. LVV bojkotoi tri mediat më të njohura private, duke përmendur njëanshmërinë”, thuhet tutje në deklaratë.

Në konferencën për media, nga përfaqësuesit e BE-së është shprehur gatishmëri për të punuar me Qeverinë e re të Kosovës.