Arbëri

Misioni i OSCE-së: Liria e medias, gurthemel i një shoqërie demokratike

Radio Televizioni i Kosovës

Misioni i OSCE-së në Kosovë e ka mirëpritur vendimin e Bordit të Radio Televizionit të Kosovës për ta shqyrtuar transmetimin e një kronike me akuza ndaj dy portaleve më 22 korrik.

Nga ky mision është bërë thirrje ndaj zyrtarëve publikë që t’i mbështesin mediat gjatë informimit dhe që të mbahen institucionet përgjegjëse. 

“Liria e medias dhe integriteti gazetaresk janë gurët e themelit të një shoqërie demokratike. Ne lavdërojmë Bordin e Radio Televizionit të Kosovës për vendimin e tyre të shpejtë për të shqyrtuar një raport të fundit të publikuar më 22 korrik, duke adresuar shqetësimet e mundshme dhe duke sqaruar përgjegjësinë editoriale. Ne u bëjmë thirrje zyrtarëve publikë që të mbështesin mediat në mbajtjen e publikut të informuar dhe për t'i mbajtur institucionet përgjegjëse. Ruajtja e një dialogu të qetë dhe konstruktiv është thelbësor”, thuhet në njoftim.

Ka nxitur valë reagimesh në Prishtinë transmetimi që ia ka bërë RTK-ja në lajmet qendrore të hënën raportit të një mediumi të Bosnjë e Hercegovinës, e në të cilin theksohet se portali “Periskopi” është nën kontrollin e Milan Radoiçiqit, ndërsa “Nacionale” ka marrë transaksion milionësh nga Serbia.

Pas reagimeve, Bordi i RTK-së ka mbajtur mbledhje të jashtëzakonshme ku janë ftuar në takim u.d drejtoresha e përgjithshme e RTK-së, drejtori i kanaleve në gjuhën shqipe, u.d kryeredaktorja e RTK-së, udhëheqësja e mediave online të RTK-së dhe stafi përgjegjës editorial.