Arbëri

Misini: Qeveria aktuale është përgjegjëse për rritjen e çmimit të rrymës

Shkumbin Misini

Profesori i ekonomisë, Shkumbin Misini, ka deklaruar të hënën se qeverisja aktuale është përgjegjëse për rritjen e çmimit të energjisë elektrike, duke thënë se partia në pushtet dikur protestonte kundër ngritjes së çmimit.

Ai ka thënë të hënën në “Interaktiv” të KTV-së se asnjë qeveri s’ka pasur plan strategjik për shfrytëzim të resurseve natyrore.

“Asnjëherë s’kemi pasur plan strategjik të shfrytëzimit së resurseve natyrore. Bordet i përzgjedh qeveria. Përgjegjësi e ngritjes së çmimit të energjisë elektrike është lidershipi dhe qeveri aktuale e Kosovës, pasi vetë atëherë kandidati për kryeministër ka thirr njerëz për protestë. Kam dalë edhe unë për çmim të energjisë para 2019-s, e tash na del se çmimi aktual është mbi 122 për qind”, ka deklaruar Misini.

Profesori ka shtuar se nëpërmjet protestave masive mund të ketë tërheqje nga propozimi për rritje të çmimit, ndërsa shtoi se “nëse pulsi publik është i vogël do të kalojë në heshtje”.

Misini ka theksuar se ka informacione që është shkëputur marrëveshja mes Kosovës dhe Shqipërisë, me ç’rast tha se ka pasur reduktime të energjisë gjatë dhjetorit të 2024-s.

“Qeveria është inekzistente për qytetarin dhe bizneset, e opozita është inekzistente për bizneset...Gjatë dimrit ne kemi nevojë për energji...Kam informacione që është shkëputur marrëveshja me Shqipërinë, për këtë kemi pasur reduktime në muajin dhjetor”, ka shtuar ai.

Profesori i ekonomisë është shprehur se Kosova duhet të shqyrtojë mundësinë që të bëjë zgjidhje nëpërmjet paneleve dhe shfrytëzimit të thëngjillit në forma të tjera.

“Pse të mos e shfrytëzojmë diellin, pse s’ka studim edhe për thëngjill. Jemi në vendin e katërt në botë për linjit. Kina sot është duke u shndërruar thëngjillin në gaz natyror dhe po e shërben për karburant të naftës. Si ka mundësi që jemi vendi i katërt në botë dhe nuk jemi në gjendje të kemi energji elektrike dhe varemi nga importi”, ka thënë Misini.