Prokurorisë Themelore të Prizrenit i është hequr nga duart rasti i Astrit Deharit, pas gati 3 vjetëve nga vdekja e tij në qendrën e paraburgimit të këtij qyteti.
Një vendim të tillë e ka marrë kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, që rastin ia ka bartur për hetime Prokurorisë Speciale. Këtë e ka arsyetuar me kërkesën e familjes Dehari, e njëherazi me natyrën specifike dhe urgjente të këtij rasti, raporton KTV.
“Pas analizimit të prononcimeve në media të familjes së të ndjerit Astrit Dehari, dhe përfaqësuesit të tyre ligjor, natyrës specifike dhe urgjente të këtij rasti, si dhe në funksion të zhvillimit me efikasitet të procedurës penale dhe evitimit të mëdyshjeve rreth mundësisë së shkeljes së parimit të paanshmërisë, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës caktohet të bëjë trajtimin e mëtejshëm procedural të kësaj çështjeje penale”, ka thënë Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit.
Afim Shefkiu do të jetë prokuror udhëheqës i lëndës, i cili është edhe ushtrues detyre i kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale.
Ai ka marrë edhe një autorizim paraprak që ta kërkojë bartjen e rastit penal nga Departamenti i Hetimeve të Krimeve të Rënda në Prizren, në Drejtoratin Qendror të Policisë për Hetimin e Krimeve të Rënda në Prishtinë.
“Po ashtu, bartësi i kësaj lënde autorizohet të kërkojë që i tërë rasti penal të bartet nga Departamenti i Hetimeve të Krimeve të Rënda në Prizren në Drejtoratin Qendror të Policisë për Hetimin e Krimeve të Rënda në Prishtinë”, ka thënë më tej Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit.
Sipas avokatit të familjes Dehari, Tomë Gashi, Prokuroria Themelore e Prizrenit kishte humbur kredibilitetin që ta trajtojë këtë rast dhe hetuesit në Prizren ishin të ndikuar.
Gashi pret që, përveç identifikimit të autorëve të vrasjes së Deharit, Prokuroria Speciale t’i trajtojë edhe veprimet e individëve të tjerë që janë pjesë e hetimit, si shembull mosdërgimin e një prej provave kryesore për ekspertizën në Lozanë.
Astrit Dehari u gjet i vdekur në qelinë e Qendrës së paraburgimit në Prizren, më 5 nëntor të vitit 2016.
Javën e kaluar, një raport i Institutit të Mjekësisë Ligjore në Lozanë të Zvicrës, riktheu rastin në vëmendje, pas konstatimeve që eliminonin mundësinë e vetëvrasjes.