E përditësuar - Komisioni për legjislacion ka miratuar një ndryshim të propozuar nga deputeti Dimal Basha. Tash parashihet që deputetët që shajnë, ofendojnë e nxisin dhunë të sanksionohen deri në 50 për qind të pagës apo 861 euro.
Deputetët që ofendojnë, shajnë e nxisin dhunë në seancë të Kuvendit do të mund të gjobiten deri në 344 euro.
Kjo parashihet në një kod të sjelljes i cili është duke u hartuar. Në draftin që e ka siguruar KOHA, ndër sanksionet parashihet edhe heqja e 20 për qind e pagës bazë e deputetit, e cila është në shumë prej 1722 eurosh – apo 344 euro.
KOHA pati raportuar në nëntor se në bazë të draftit paraprak, për këtë shkelje parashihej gjobë vetëm deri 35 euro.
Po ashtu parashihen masa sanksionuese si vërejtje me shkrim e nëse ka shkelje të rëndë të përsëritur shqiptohet vërejtja me shpallje publike në uebfaqen e Kuvendit dhe deklarim të shkeljes në seancën e ardhshme.
Po ashtu mund të ketë suspendim deri në 3 seanca, varet nga niveli i shkeljes, suspendim nga pjesëmarrja në mbledhje të komisioneve dhe e fundit është sanksionimi deri 20 për qind të pagës bazë.
Ky draft është duke u shqyrtuar sot në Komisionin për Legjislacion. Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha, ka propozuar që deputetëve me sjellje të këqija t’u hiqen tri paga.
“Me nenin 26 paragrafi c, d mendoj që po dënohet GP, po dënohet qytetari por jo deputeti. Nuk po me duket e logjikshme të dënohet dikush tjetër për sjelljen e pandërgjegjshme të deputetit. Unë propozoj që ndëshkimi të mos jetë 20 për qind, por të jetë deri në 3 paga”, ka thënë ai.
Deputeti tjetër i Vetëvendosjes, Adnan Rrustemi, ka thënë se sanksionimi bëhet me qëllimin që të shihet edhe si presion.
“Nuk është çështja vetëm e ndëshkimit të deputetit, por edhe entitetit politik të grupeve parlamentare, që i takon në kuptim të vështirësisë së vendimmarrjes sepse e implikon punën e tyre në komisione. Kjo shërben si presion”, ka thënë ai duke u dakorduar që të rritet në 20 për qind sanksionimi për deputetët.
Ndërsa deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj, ka thënë se duhet të ketë çështje që mund të zbatohen.
“Unë kam dilemat e mija nëse dikush e dërgon në kushtetuese këtë. A është kushtetuese apo jo? Sepse mandati i deputetit është i lirë i përgjigjet vetëm qytetarit askujt tjetër. Ky kod etik nënkupton shumë në sjelljet morale të njerëzve, është bukur e ndjeshme”, ka thënë ai.