Aleanca për Kosovën e Re (AKR) dega në Kamenicë pohon se 2 këshilltarë komunal janë përjashtuar nga partia sepse votuan pro miratimit të buxhetit për vitin 2021.
AKR-ja kishte kërkuar nga këshilltarët e saj komunal që të mos votonin pro buxhetit me arsyetimin se kryetari i komunës Qëndron Kastrati kishte dëmtuar komunitetin me zhvillimin e reformës në arsim ku në shumë vendbanime janë mbyllur shkollat, gjë që është kundërshtuar nga banorët.
Por ish-këshilltarët komunal të AKR-së kanë vlerësuar se miratimi i buxhetit nuk mund të lidhet me reformën në arsim, ngase këto dy çështje nuk kanë të bëjnë me njëra tjetrën.
Por kryetari i degës së AKR-së, Fatmir Matoshi, thotë se këshilltarët komunal u përjashtuan ngase dolën kundër qëndrimeve të partisë.
“Me grupin jemi marr vesh që do të punojmë me ndal mbylljen e shkollave në Kamenicë, duke mos e votuar buxhetin. Dhe kemi dashur një kompromis në Kuvend që shkollat mos të mbyllen. Jemi dakorduar që kushdo që del jashtë këtij qëndrimi do të dal prej grupit. Dhe kushdo që ka dal prej këtij qëndrimi normal që nuk është më pjesë e subjektit tonë. Tani përfaqësohemi me vetëm 2 këshilltarë komunal. 2 këshilltarët e tjerë komunal të cilët nuk janë pjesë e AKR-së janë larguar për shkak të buxhetit”, ka thënë Matoshi.
Mirëpo këshilltarja komunale tani e pavarur, Xhyljete Bunjaku, i hedh poshtë këto pretendime të kreut të AKR-së dhe thotë se ajo nuk është përjashtuar, por ka dhënë dorëheqje e cila është bërë publike. Konsideron se AKR-ja ka zhvilluar një lojë politike duke e lidhur buxhetin dhe reformën në arsim. Thotë se votimi pro buxhetit në këtë periudhë të pandemisë ishte veprim i duhur nga ana e saj.
“Dorëheqja ime ka qenë publike dhe nuk e kuptoj pse insistojnë dhe thonë se e kemi përjashtuar. Dorëheqje kam dhënë sepse nuk jam pajtuar me qëndrimet e AKR-së e cila ka lidh buxhetin komunal me reformën në arsim. Buxheti është i qytetarëve dhe në kohë të pandemisë nuk e kam parë të arsyeshme me bo kësi lojëra politike edhe kam preferuar që më mirë të dal e pavarur sesa t’i nënshtrohem një subjekti që bën kësi lojëra politike”, ka thënë ajo.
Këshilltari tjetër komunal Albert Thaqi deklaron se është përjashtuar nga AKR-ja. Thotë se votat e tyre ishin përcaktuese për miratimin e buxhetit. Vlerëson se në rast se nuk do të votohej buxheti atëherë do të dëmtoheshin qytetarët.
“Kryetari Fatmir Matoshi ka kërkuar që të mos votohet buxheti. Dhe unë e pash të arsyeshme që të votohet buxheti ngase nuk kam dashur që të bllokohen financat. Kam konsideruar se votimi i buxhetit është në interesin e qytetarëve”, ka thënë ai.
Ndërkaq edhe një këshilltar komunal nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës ka dhënë votën pro miratimit të buxhetit.
Sejdi Kurteshi këshilltar komunal deklaron se subjekti i tij politik ka qenë kundër votimit të buxhetit mirëpo thotë se ai ka votuar pro dhe se nuk sheh gabim në veprimin e tij. Thotë se nuk beson që për shkak të bindjeve do të përjashtohet nga grupi i LDK-së ashtu siç ka bërë AKR-ja.
“Nuk besoj që do të ndodh kjo sepse ne kemi bindjet tona si këshilltar komunal. Unë kam garuar si afarist dhe kam marr votat dhe përfaqësoj votuesit. Prandaj kam konsideruar se me mos votim më shumë do të bëjmë dëme qytetarëve. Tash janë munduar që të lidhin buxhetin me reformën mirëpo kjo nuk është e saktë”, ka thënë Kurteshi.
Ndryshe buxheti komunal është miratuar të martën. Buxheti kishte dështuar që të miratohet disa herë ngase koalicioni PSD-AAK nuk i kishte numrat e mjaftueshëm në Kuvendin Komunal për të kaluar buxhetin. Por kësaj radhe kanë votuar edhe këshilltarët komunal të cilët nuk janë pjesë e këtij koalicioni.