Për herë të parë, ministrja e re e Bujqësisë, Dijana Zhiviq, u ftua nga Komisioni për Bujqësi të raportojë për mënyrën e dhënies së granteve dhe subvencioneve.
Megjithëkëtë, ajo ka refuzuar të flasë për një numër kërkesash të parashtruara nga komisioni, pasi ka vetëm 15 ditë që është në krye të ministrisë.
Ajo tha se nuk mund të japë përgjigje për çështjet që kanë qenë përgjegjësi e ministrit të kaluar, raporton KTV.
Ndërsa, e pyetur nga anëtarët nëse e pranon raportin e përpiluar në kohën e ministrit Rikallo, nuk është përgjigjur direkt.
“Raporti është dërguar në zyrë të ministrit ende pa u emëruar unë ministre”, ka thënë Zhiviq.
Madje, Zhiviqi nuk qëndroi deri në fund për t’i dëgjuar shqetësimet e anëtarëve të komisionit, për çka pati reagime prej tyre.
“Dua të them që keni të drejtë që jeni nervozuar, por tërë kohën kemi takime me ambasadorë dhe në takimin e radhës me ju do të kemi përgjigje për pyetjet tuaja por tani kemi sekretarin që mund të përgjigjet”, ka thënë ajo.
Anëtari i komisionit, Liburn Aliu, ngriti shqetësimin për dhënien e granteve përmes koncerziumit, te një person i cili është pronar i disa kompanive.
Mbledhja ka përfunduar pa ndonjë rezultat, meqenëse ministria nuk solli raportin e detajuar.