Në ditën që do të hapet fushata “16 Ditët e Aktivizmit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore”, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha se sistemi i hetuesisë e edhe ai gjyqësor nuk kanë treguar rezultate të mjaftueshme në lidhje me rastet e dhunës në bazë gjinore. E nga Ministria që Haxhiu udhëheq, është kërkuar hartimi i strategjive për integrimin e burrave dhunues në mënyrë që ata të mos kthehen në recidivistë.
Raportet 24-orëshe të Policisë vazhdojnë të përmbajnë raste të shumta të dhunës në familjes ose dhunës në baza gjinore e aty dëshmohet se shumicën e herëve të dyshuarit, pasi intervistohen, lihen të lirë.
Kjo dëshmohet edhe nga raporti i publikuar të shtunën.
“Ankuesja femër kosovare ka njoftuar se është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti dhe vjehërri i saj. Viktimës i është ofruar mbrojtje nga gjykata, ndërsa të dyshuarit janë arrestuar dhe pas inicimit të rastit me vendim të prokurorit janë liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në raport për një rast.
E për ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, raportimi për dhunën me bazë gjinore nuk behët në masën sa është e pranishme.
Të shtunën është hapur fushata “16 Ditët e Aktivizmit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore”. Ministrja Haxhiu ka thënë se institucioni që e drejton ajo ka iniciuar ndryshimet ligjore që ashpërsojnë dënimet, por edhe ka rritur buxhetin për strehimore. Por siç ka thënë ajo, gratë neglizhohen e dhunuesit nuk e marrin dënimin e merituar për shkak të shkeljeve në institucionet e drejtësisë.
“Pavarësisht veprimeve që i kemi ndërmarrë, shpeshherë nuk jam e kënaqur me veprimet e institucioneve të drejtësisë. Sidomos në rastet kur ka lirim në procedurë të rregullt të dhunuesve e sidomos në rastet kur ka dënime minimale ndaj personave që ushtrojnë dhunë në familje dhe dhunë seksuale. Sipas informatave që i kam, edhe pse Kodi Penal parasheh deri në 3 vite burgim për ata që shkaktojnë dhunë në familje, ende asnjë vendim 3 vite nuk është i shqiptuar”, ka thënë Haxhiu.
Ajo ka thënë se po bëhen përpjekje për t’ua siguruar banimin grave që janë viktima të dhunës.
“Ministria e Drejtësisë ka banesa të konfiskuara. Ne kemi qenë në komunikim me strehimoret që të na tregojnë se cilat janë ato raste më të rënda që nuk kanë kah t’ia mbajnë që pastaj Ministria e Drejtësisë për shfrytëzim t’ua jap viktimave të dhunës. Strehimoret i kanë dërguar disa rast. Sigurisht me hyrjen në fuqi të Ligjit për Konfiskim të Pasurisë së Pajustifikueshme, numri i banesave të konfiskuara do të rritet”, u shpreh ministrja Haxhiu.
Aktualisht në dispozicion janë tetë banesa të tilla.
Këtë vit pjesë e fushatës “16 Ditët e Aktivizmit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore”, theks i veçantë do t’i kushtohet rehabilimit të burrave dhunues që pas vuajtjes së dënimit të mos i përsërisin veprat penale.
Drejtoresha e Institutit për Hulumtime dhe të Drejtat e Njeriut, Kaltrina Rexhepi Dragusha, ka thënë se kjo është një nga aspektet më domethënëse me të cilën institucionet do të duhej të merreshin.
“Ngecja kryesore deri me tani është me punën me dhunuesit dhe punën me ata që shkaktojnë dhunë në familje, pasi që deri më tani nuk kemi parë një strategji adekuate apo punë që ka filluar të behët në integrimin e dhunuesve të cilët do të duhej të mos na ktheheshin në recidivistë të dhunës në familje”, ka deklaruar Rexhepi.
Institucionet e drejtësisë, por edhe ato qeveritare, vazhdimisht janë kritikuar nga organizata vendore e ndërkombëtare për mënyrën se si i trajtojnë rastet e dhunës në familje.