Arbëri

Ministrja e Ekonomisë paralajmëron hapjen e konkursit për bord të rregullt në KEK

Mëngjesin e së martës kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, shkuan për vizitë në Korporatën Energjetike të Kosovës.

Nga aty Rizvanolli paralajmëroi për shpalljen e konkursit për bord të rregullt.

“KEK-ut i duhet udhëheqje profesionale me integritet dhe një udhëheqje që e ka vizionin për ta udhëhequr KEK-un në këto reforma dhe aftësinë për ta planifikuar dhe zbatuar këto reforma. Prandaj, shfrytëzojmë këtë rast gjatë muajve në vijim do të hapet konkursi për Bordin e rregullt të KEK-ut në të cilin ftojmë të gjithë profesionistët e fushës që të aplikojnë. Ne jemi të përkushtuar që të sigurojmë proces të rekrutimit që është me integritet dhe fer dhe me transparencë të plotë siç ka ndodhur edhe në konkurset e kaluara”, tha Rizvanolli.

E sipas të parit të Ekzekutivit, integriteti i bordit mbetet prioritet i kësaj qeverie, derisa përmendi edhe gjendjen e rënduar të punëtorëve të KEK-ut.

“Pamë se pajisjet janë të vjetërsuara pamë se punëtorët janë të moshuar, pamë edhe mungesë të kuadrove të inxhinierëve mirëpo të gjitha këto do t’i adresojmë bashkërisht me KEK-un në mënyrë që këto defiçiencat të mbulohen në të ardhmen të kësaj kompanie. Jemi të përqendruar edhe në faktin se KEK-u duhet të jetë proaktiv dhe inovativ në vitet që vijnë në mënyrë që ta bëjmë diversifikimin e prodhimit të energjisë duke inkuadruar energji të ripërtërishme ku KEK-un e shohim si shtyllë shumë të rëndësishme”, tha kryeministri Albin Kurti.

Shtoi se KEK-u ka pasur edhe një performancë të mirë duke tejkaluar planin e eksploatimit të thëngjillit.

Kryeministri ka thënë se do t’i mbështesin punëtorët e kësaj ndërmarrjeje.