Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e ka cilësuar Gjykatën Kushtetuese si një nga institucionet që po e pengon reformën në drejtësi. Por kjo deklaratë e ministres ka nxitur reagime të opozitës e njohësve të çështjeve të drejtësisë, të cilët e akuzuan atë se akuzat po i bën për të mbuluar dështimet e qeverisjes
Ekzekutivi ka vazhduar me akuzat ndaj sistemit të drejtësisë.
Derisa ditë më parë, kryeministri akuzoi prokurorin e Shtetit, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, të mërkurën e ka cilësuar Gjykatën Kushtetuese si një nga institucionet që po e pengon “reformën në drejtësi”.
Haxhiu e ka akuzuar Kushtetuesen për vonesë në trajtimin e lëndëve.
“Ne presim deri një vit për të marrë një aktgjykim kjo sigurisht përbën problem se ka pasoja afatgjata, sepse reformat të cilat ne mund t’i përfundonim para 1 vitit për shkak se Gjykata Kushtetuese nuk i ka trajtuar me prioritet dhe ndjeshmërinë e njëjtë sikurse e kanë qytetarët e Kosovës ne jemi të detyruar që të presim me muaj të tërë në kundërshtim me ligjin për Gjykatën Kushtetuese një aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese”, ka thënë Haxhiu.
Deklarata e saj ka nxitur reagime të shumta.
Sipas drejtorit të Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, Qeveria në rrugëtimin e saj politik ka mision targetimin e armiqve.
“Për vitin 2024, për LVV armiku numër 1 i saj është Gjykata Kushtetuese. Target i lehtë për ta sulmuar, etiketuar dhe faturuar dështimet e keqqeverisjes së LVV në mbi tre vjet në pushtet. Reforma e dështuar në drejtësi është kontestuar edhe nga Komisioni i Venecias”, ka shkruar Miftaraj.
Përparim Gruda nga PDK-ja, ka theksuar se akuzat e Haxhiut ndaj Kushtetueses bëhen për të mbuluar dështimin dhe paaftësinë për t’i kryer reformat e premtuara.
“Nuk ju ka faj Gjykata Kushtetuese dhe askush tjetër për paaftësinë e tyre për të realizuara reformat e premtuara. Për të vërtetuar këtë, vetëm merreni rastin e vetingut: Ministrisë së Drejtësisë i janë dashur dy vite kohe që t’i dërgoj në Gjykatën Kushtetueses amendamentet për këtë proces, tani akuzojnë gjykatën që ka vonuar vlerësimin e saj për ato amendamente”, ka thënë Gruda.
Për deklaratën e Haxhiut reaguan edhe në Lidhjen Demokratike të Kosovës.
“Na vjen keq”, ministre! Herën tjetër kandidon në ndonjë shtet anarkik që nuk përfill kushtetutshmërinë, e ndoshta s’po të pengon më kushtetutshmëria e Republika. S’ke faj ti, jo”, është shprehur deputetja, Doarsa Kica Xhelili.
Ministrja Haxhiu e pati kritikuar Gjykatën Kushtetuese vitin e kaluar edhe rreth mosmarrjes së një vendimi për kërkesën që i është bërë mbi procesin e vettingut.