Mijëra euro nga buxheti i shtetit janë shpenzuar gjatë vitit për mbulimin e shpenzimeve të udhëtimeve zyrtare të këshilltarëve të jashtëm. Ani se Ligji për Qeverinë parasheh se këshilltarët e jashtëm nuk i shkaktojnë shpenzime buxhetit, ministritë kanë përdorur një nen përjashtues për t’i mbuluar pagesat
Pa akt-emërime dhe të angazhuar si ekspertë të jashtëm, këshilltarët e ministrit të Bujqësisë, Faton Peci, Mentor Tahiri dhe Naim Huruglica i kanë kushtuar buxhetit të shtetit mbi 10 mijë euro për 10 muaj, për udhëtime zyrtare.
Ani se ligji për Qeverinë parasheh se këshilltarët e jashtëm emërohen nga ministri dhe nuk shkaktojnë shpenzime për kuletën e shtetit, Ministria e Bujqësisë e ka përdorur një nen përjashtues për t’i mbuluar shpenzimet.
Për Tahirin, nga janari deri në tetor, janë paguar 8 mijë e 653 euro, prej të cilave 2 mijë e 761 euro për mëditje, kurse për Huruglicën 1 mijë e 900 euro, prej të cilave 800 euro për mëditje.
Por, sipas avokatit Qëndrim Arifi, mungesa e akt-emërimit apo marrëdhënies kontraktuale mes institucionit dhe ekspertit, pamundëson dhënien e mëditjeve.
“Në këto rrethana pa marrëdhënie kontraktuale dhe pa bazë ligjore, konsideroj se është shkelje dhe shkelje mjaftë e rëndë, për shkak se futemi në keqpërdorim të fondeve publike, ku paguhen njerëz ndoshta të cilët fare nuk kanë marrëdhënie kontraktuale me shtetin e Kosovës dhe institucionet tona”, ka thënë Arifi.
Nga Ministria e Bujqësisë kanë thënë se pagesa është bërë bazuar në Ligjin për Qeverinë dhe rregulloren për kompensimin për udhëtime zyrtare dhe shpenzime të përfaqësimit.
E kjo rregullore, që ka hyrë në fuqi më 6 shkurt të këtij viti, parasheh se vetëm zyrtarët e funksionarët publikë dhe kategoritë e tjera të të punësuarve, që paguhen nga buxheti i shtetit, kanë të drejtë të kompensohen.
KOHA ka provuar që të marrë një qëndrim nga Tahiri lidhur me shpenzimet, por ai nuk është përgjigjur në telefonata e as në mesazhe. E Huruglica ka thënë se në ministri, i kanë thënë se mjetet janë për t’i mbuluar shpenzimet e udhëtimit jashtë vendit.
KOHA ka kërkuar sqarime edhe nga ministritë e tjera se si mbulohen shpenzimet e këshilltarëve të jashtëm dhe se a kanë akt-emërime. Nga 8 prej atyre që janë përgjigjur, vetëm nga dy kanë thënë se i kanë mbuluar shpenzimet e udhëtimit për këshilltarë të jashtëm dhe se për ta, ka akt-emërime nga ministrat.
Nga Ministria e Arsimit kanë bërë të ditur se Këshilltares së jashtme Majlinda Rizvanolli i janë mbuluar shpenzimet për udhëtime në vlerë afro 750 euro.
“Në këto udhëtime këshilltarja i ka pasur biletat/akomodimin të mbuluar nga organizatorët, nga MAShTI i janë mbuluar shpenzimet e tjera dhe mëditjet të cilat i keni pranuar ne raportin e plotë për kabinetin e ministres. Ndërsa, këshilltari i jashtëm Valdrin Dervishaj është i angazhuar pro bono dhe nuk ka deri tani asnjë udhëtim të realizuar nga kjo pozitë”, kanë deklaruar nga Ministria e Arsimit.
Edhe nga Ministria e Tregtisë kanë bërë të ditur, se ministrja ka të emëruara dy këshilltare, prej të cilave këshilltarja Flora Camaj ka shpenzuar rreth 1 mijë e 60 euro për akomodim dhe mëditje.