Të dhëna kontradiktore me njëra-tjetrën përmbajnë dy dokumente të Ministrisë së Infrastrukturës në lidhje me kualitetin e punëve në rrugën Rugovë-Pejë. Përderisa një ekip i tre ekspertëve të kësaj ministrie ka konstatuar se punët për të cilat është paguar kompania ose janë të cilësisë së dobët, ose nuk janë kryer fare, një tjetër komision ka deklaruar se raporti është joprofesional
Dy trupa profesionale të Ministrisë së Infrastrukturës janë në luftë interpretimesh për të nxjerrë përfundimin nëse janë evidentuar me saktësi ose jo punët në sanimin e rrugës Pejë-Rugovë.
Ekipi profesional ka konsideruar që kompania “Sallahu” nuk i ka kryer punët për të cilat është paguar. Për këtë, por edhe për gjetje të tjera që përmban raporti i hartuar nga ky ekip, menaxheri i kontratës, Nebi Luzha, është dërguar në Komision Disiplinor.
Komisioni e ka liruar nga përgjegjësia këtë zyrtar, por ka shprehur vërejtje se si është punuar raporti.
“Gjatë analizimit të rastit të lartcekur, Komisioni Disiplinor konstaton se raporti i Komisionit Profesional nr.6360 të datës 07.08.2023, është joobjektiv dhe i mangët, sepse nuk ka qenë i detajuar, ashtu siç është kërkuar në pikën 2 të vendimit të sekretarit të përgjithshëm”, thuhet në Raportin e Komisionit Disiplinor.
Sipas këtij komisioni, raporti nuk e paraqet të argumentuar me fakte dhe prova gjendjen faktike se çfarë në të vërtetë është punuar në terren, në realizim të kontratës e as se çfarë është paguar, pasi që, siç thonë ata, raporti nuk përmban prova e fotografi nga vendi i ngjarjes.
Komisioni ka kontestuar gjetjet, edhe duke thënë se pjesë e ekipit profesional nuk ka qenë edhe një gjeodet.
Ekipi profesional ka rikujtuar se Kontrata për riparimet në rrugë është dashur të përfundohej për 175 ditë kalendarike. Ajo është nënshkruar në fundin e dhjetorit të vitit 2021, e prej atëherë kanë kaluar gati 700 ditë.
Por Komisioni Disiplinor ka kontestuar kompetencën e ekipit profesional për t’i evidentuar këto shkelje gjatë realizimit të kontratës.
“Konkluzionet e shënuara në pikën 3,4,5 dhe 6 të raportit që kanë të bëjnë me gjendjen e rrugës në përgjithësi, zvarritjen e realizimit të kontratës, tejkalimin e afateve sipas kushteve të kontratës, rreziku i pjesëmarrësve të kalojnë në këtë segment rrugor, kanë tejkaluar mandatin që i është dhënë me vendim të sekretarit”, thuhet më tej në raportin e Komisionit Disiplinor.
Nëpërmjet Ministrisë së Infrastrukturës, KOHA ka kërkuar përgjigje nga të dy trupat profesionale që kanë shprehur vlerësime kontradiktore për punimet, por nuk ka marrë përgjigje.
E, në kompaninë “Sallahu” kanë deklaruar që raporti i trupës profesionale përmban të pavërteta, dhe kanë thënë se për këtë është bërë denoncim në Prokurorinë e Shtetit.
“Lidhur me konstatimet e pavërteta dhe të paqëndrueshme, e të pambështetura me asnjë prove të vetme, ne kemi paraqitur kallëzim penal në Prokurorinë e Shtetit, nën dyshimet e bazuara mirë se kanë kryer veprën penale keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar të sanksionuar me Kodin Penal, neni 414 par 2 , dhe mashtrimi i sanksionuar me nenin 323 par 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, kanë thënë drejtues të kompanisë “Sallahu”.
Por në terren vërehet qartë plasaritja e asfaltit, ende pa u përfunduar punët.
Për këtë kompania fajëson institucionin që nuk ka përfshirë në tender planin për ndërtimin e kanaleve të ujit, pasi thotë se nga kjo është dëmtuar asfalti.
E çështjen e cilësisë së punëve në këtë aks rrugor e ka ngritur në mesin e tetorit ish-kryeministri nga radhët e LDK-së, Avdullah Hoti.
“Ja si janë harxhuar 8.63 miliardë euro këto tri vjet”, ka shkruar Hoti duke publikuar edhe videon me pamje të rrugës, ku dëgjohet duke thënë se asfalti është tërësisht i plasaritur dhe bazuar në ngjyrën e asfaltit, sipas tij, ndërtimi i rrugës është bërë para disa javësh.
Lidhur me videon e publikuar nga Hoti pati reaguar zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, i cili e ka pranuar se gjendja e rrugës është ashtu siç shihet në video. Durmishi është nënshkrues i kontratës për këtë rrugë.
“Ne kemi nënshkruar një kontratë për sanimin e asaj rruge me qëllimin që ta rregullojmë rrugën shumë të dëmtuar. Kemi pasur shumë ankesa nga qytetarët se nuk po punohet si duhet dhe ne kemi formuar një komision profesional që ta konstatojë gjendjen. Gjetjet e këtij komisioni janë se jo vetëm cilësia e punimeve që është jashtë çdo standardi, por se janë bërë pagesa edhe për pozicione që nuk janë punuar fare”, ka shkruar Durmishi.
Ai ka bërë të ditur se është iniciuar procedurë disiplinore ndaj menaxherit të kontratës dhe lënda është dërguar në Prokurori për shkak se ka elemente të veprës penale.