Arbëri

Ministria ktheu PZHK-në, Komuna e Prishtinës e paraqiti Batllavën si territor të saj

Ende pa marrë një pëlqim nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Komuna e Prishtinës në fund të muajit gusht tentoi ta qesë në shqyrtim publik Planin Zhvillimor Komunal.

Më 6 gusht të vitit 2021, Komuna e Prishtinës kishte dorëzuar projekt-planin zhvillimor komunal “Prishtina 2021-2029” në MMPHI, me kërkesë për marrjen e pëlqimit për hapjen e shqyrtimit publik.

Megjithatë, ende pa marrë një përgjigje nga kjo ministri, Komuna e Prishtinës tentoi të fusë në rend dite shqyrtimin publik të PZHK-së, në mbledhjen e shtatë të Kuvendit Komunal, të mbajtur më 27 gusht.

Komuna e Prishtinës kishte marrë mos-pëlqimin nga Ministria e Mjedisit, 10 ditë më pas, në të cilin ishin bashkëngjitur edhe disa faqe me vërejtje e rekomandime.

Në dokumentin e siguruar nga KOHA shihen edhe gabimet që ka gjetur Ministria e që Komuna si të tillë kishte synuar ta hapte për shqyrtim publik dhe ende pa e marrë dritën e gjelbër.

Gabime e mospërputhje në shifrat e sipërfaqes së Prishtinës e në numrin e popullsisë deri te gabimet drejtshkrimore në gjithë tekstin janë disa nga arsyet pse Ministria e Mjedisit nuk i ka dhënë pëlqimin Komunës së Prishtinës për hapjen e shqyrtimit publik.

Ndër të tjera, në dokument thuhet: “Turizmi në Prishtinë tërhoqi mbi 40 mijë vizitorë të huaj, në vitin që përfaqëson 70.20 për qind të të gjithë vizitorëve që kanë vizituar Kosovën gjatë vitit. Disa nga vendet më të vizituara në Prishtinë janë Liqeni i Batllavës dhe Shpella e mermerit të Gadimes, të cilat janë gjithashtu ndër vendet më të vizituara në Kosovë”.

Me këtë rast ministria i ka rekomanduar të bëhen ndryshime, sepse këto dy vende nuk janë asete turistike të Prishtinës.

Në dokumentin e PZHK-së ka edhe shumë gabime, ku ndër të tjera fshatrat e kryeqytetit quhen komuna.

Përveç kësaj, vërehen edhe pjesë të cilat janë kopjuar nga plani i PZHK-së së Mitrovicës Jugore.

E gjatë seancës, futja e kësaj pike në rend dite ishte kundërshtuar fuqishëm nga asamblistët, të cilët ngritën akuza se qeverisja e tanishme po ngutet ta hartojë planin para zgjedhjeve.

Flutra Zymi, nga organizata Qytetarët Akivë, e cila që nga fillimi kundërshtoi mënyrën e hartimit të këtij plani, ka ngritur edhe një shqetësim tjetër. Sipas saj, është duke u bërë edhe një manipulim me 2.7 milionë euro të cilat janë ndarë për kontratën 3 vjeçare që ka ministria me “Alb Architect” dhe “INSI”.

Debati publik për PZHK-në u mbajt vetëm 4 orë gjatë verës, e që u cilësua e pamjaftueshme në krahasim me numrin e banorëve që ka Prishtina.