Ministria e Mjedisit nuk e ka respektuar legjislacionin në fuqi për rishqyrtim të lejeve ujore që duhet bërë çdo pesë vjet. Ajo pas 16 vjetësh ia vazhdoi lejen ujore hidrocentralit “Lumbardhi 1” edhe për 5 vjet të tjerë. Në Ministri nuk kanë dhënë sqarime për këtë, teksa ministri ka deklaruar se janë plotësuar kushtet nga operatori “Kelkos”
Për më shumë se 16 vjet Ministria e Mjedisit nuk e ka rishqyrtuar lejen ujore për hidrocentralin “Lumbardhi 1” të lëshuar në kohën e UNMIK-ut, ani se ligji kërkon që një gjë e tillë të bëhet çdo pesë vjet. Kësisoj, për 11 vjet rresht ekzekutivi nuk ndërmori veprime për hidrocentralin konform kërkesave ligjore.
Rishqyrtimi i lejes ujore parashihej edhe me Ligjin e vjetër që ishte miratuar në vitin 2004, në bazë të të cilit ky hidrocentral në 2006-n është pajisur me leje për periudhë 20-vjeçare.
Por ende pa skaduar kjo kohë, në gusht të 2022-tës, kjo ministri në mënyrë të heshtur ka lëshuar leje të re ujore për periudhë 5-vjeçare, duke përcaktuar edhe disa kushte për operatorin.
Pas kësaj ka lëshuar edhe leje mjedisore, për çka është paditur nga shoqëria civile javën e kaluar.
Në Ministrinë e Mjedisit nuk kanë kthyer përgjigje lidhur me lëshimin e këtyre dy akteve.
Por në lejen që ka siguruar KOHA thuhet se pala obligohet që brenda 60 ditësh të realizojë shtegun e peshqve dhe ta bëjë eliminimin e dëmeve.
“Nëse për shkak të shfrytëzimit të ujit të hidrocentralit vjen te çrregullimi i regjimit ujor, tek objekti ujë-marrës, tek objekti prodhues dhe përgjatë gypsjellësit, kjo shkakton dëme në çfarëdo karakteri, shfrytëzuesi është i obliguar që shkaqet e dëmit t’i eliminojë, kurse dëmet t’i kompensojë”, thuhet në vendimin për leje ujore.
Ministri Liburn Aliu, në reagimin për padinë që është bërë ndaj Ministrisë që ai drejton, ka thënë se nuk është e vërtetë që lejet janë dhënë fshehurazi, teksa ka pranuar se ka pasur takim me përfaqësues të kompanisë.
Takimi i zhvilluar, sipas tij, ka qenë për dy hidrocentralet e tjera që nuk janë pajisur me leje mjedisore, e për çka kompania “Kelkos” e ka dërguar Kosovën në Arbitrazh. Ai ka arsyetuar dhënien e lejes mjedisore, duke thënë se kompania ka plotësuar kushtet e parapara.
“Gjatë vizitës së Komisionit tek operatori, i cili ka infrastrukturën bazike të hidrocentralit të ndërtuar në vitet ‘50, pas privatizimit në vitet 2000, të cilin e kishte rindërtuar me turbina e gjenerator të ri të vënë në funksion në vitin 2005, është konstatuar se të gjitha kushtet sikurse tubacioni dhe pajisjet përcjellëse janë trajtuar e rehabilituar, si dhe është vendosur shtegu i duhur për lëvizjen e peshqve përgjatë rrjedhës së lumit. Kushte e kritere këto që kontrollohen nëse një operator i ka plotësuar kushtet e përcaktuara mjedisore”, ka thënë ministri Aliu në reagim.
Por sipas Shpresa Loshajt, përfaqësuese e organizatës “Pishtarët”, rezervari akumulues është para kolapsit.
“Baseni akumulues në Deçan është para kolapsi dhe kur ta vërshojë Deçanin një ditë, dikush duhet të marrë përgjegjësi. ‘Kelkosi’ jo. Më mirë të merret përgjegjësia me kohë dhe të sigurohet që lejet lëshohen veç kur plotësohen kushtet”, ka thënë Loshaj.
Hidrocentrali “Lumbardhi 1” është i ndërtuar vitin 1957, ndërsa është privatizuar në vitin 2000, ku më pas është bartur në pronësi të kompanisë “Kelkos”.