Pak ditë pas protestës së banorëve të tri fshatrave të Drenasit për ndotjen nga fabrika e “Ferronikelit”, zëvendësministrja e Mjedisit, Linda Çavdarbasha, ka dalë në terren së bashku me inspektorë mjedisorë për të parë gjendjen nga afër. Ajo ka thënë se do të shqyrtojnë pretendimet për shkelje nga kompania dhe më pas do të dalin me një vendim. Banorët kanë thënë se presin që Ministria ta ketë primare shëndetin e tyre e jo interesat e grupeve të caktuara
Një grumbull me dokumente që dëshmojnë pretendimet për shkelje nga fabrika e “Ferronikelit” i janë dorëzuar zëvendësministres së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Linda Çavdarbasha.
Çavdarbasha e shoqëruar me inspektorët mjedisorë vizituan deponinë e skories së “Ferronikelit”, pak ditë pasi banorët e tri fshatrave të Drenasit protestuan para MMPHI-së për shkak të ndotjes së mjedisit nga kjo kompani.
“Ne si Ministri kemi dalë për të parë gjendjen reale se si është, do të bazohemi në të gjitha faktet, edhe lejen mjedisore, mirëpo edhe të gjitha fotografitë, videot dhe të gjitha faktet shkencore të cilat kanë dalë nga analizat që janë bërë në këtë skorie, në këtë deponi dhe më pas do të marrim një vendim si ministri se si do të veprohet”, ka theksuar ajo.
Çavdarbasha ka thënë se si Ministri kanë parësore shëndetin e qytetarëve.
“Si ministri është e rëndësishme me ditë që shëndeti i qytetarëve është parësor dhe dëmet mjedisore që shkaktohen duhet të ndërpriten... Do të merret një vendim në bazë të të gjitha gjetjeve në terren dhe dokumenteve që kemi”, ka theksuar ajo.
Banorët në hall, kërkojnë veprim nga MMPHI-ja
Deponia ku hidhet skoria është jo larg shtëpive.
Banorët e kësaj ane e aktivistë mjedisorë kanë shfaqur shqetësimet e tyre për ndotjen nga “Ferronikeli” dhe për mosmarrjen e veprimeve nga ana e inspektorëve dhe Ministrisë.
Aktivisti mjedisor, Xhavit Drenori, ka thënë se presin nga Ministria që të marrë masa ndaj kompanisë.
“Po presim që urgjentisht të ndalet deponimi i skories që është dëmi më i madh. Ne besojmë që i bindëm me atë që panë ata dhe me dokumentet që i dhamë. I sqaruam të faktuara të gjitha dhe gjithë rezultati i kësaj pune do të varet nga një raport që do të dalë nga gjendja, e që gjendja në terren është shumë e keqe”, ka theksuar ai.
Ai ka pohuar se inspektorët nuk kanë kryer punën e tyre deri tani pasi, sipas tij, ka pasur në vazhdimësi ankesa nga ana e banorëve të kësaj ane.
“Inspektorët sikur të kishin kryer punën e vet do të kishin bërë një raport për gjendjen alarmante dhe ministri do ta merrte përgjegjësinë për mosveprim. Leje mjedisore e ka lëshuar Ministria dhe mund ta revokojë, dhe këtë çka kanë bërë asnjëherë nuk kanë pasur fuqi me ndalë edhe pse kanë mundur”, ka theksuar ai.
Banorët kërkojnë që shëndeti i tyre të jetë parësor para, siç kanë thënë, përfitimeve të grupeve të caktuara.
Kryetari i fshatit Gllanasellë, Albert Nika, ka thënë se janë në telashe nga ndotja që po shkaktohet nga kamionët e “Ferronikelit”.
“Jam i lumtur që Ministria e Mjedisit ka dalë në vend të ngjarjes për të parë nga afër rrezikun që u kanoset qytetarëve të këtij vendi, për arsye që shëndeti i qytetarëve është primar sesa përfitimet e individëve që janë në pushtet apo grupeve të caktuara dhe presim që ministria të bëjë trysni tek operatori ekonomik dhe të respektohet leja mjedisore që e ka dhënë në vitin 2018”, ka theksuar ai.
Inspektorati: “Ferronikeli” u gjobit disa herë për kundërvajtje
Nga Inspektorati i MMPHI-së ditë më parë kanë bërë të ditur se janë kryer inspektimet dhe se kompania është dënuar disa herë për shkeljet.
Vitin e kaluar kompania ishte gjobitur për kundërvajtje në shumë prej 1 mijë e 500 eurosh, shkaku i keqmenaxhimit me mbeturina të skories gjatë transportit me kamionë.
“Para ca kohësh Gjykata Themelore në Prishtinë, dega në Drenas, e ka dënuar me gjobë në shumë prej 20 mijë eurosh, në cilësinë e subjektit juridik “NewCo Feronikeli Complex”, me seli në Qikatovë të Vjetër, Komuna Drenas. Po ashtu ka dënuar me 2 mijë euro gjobë, në cilësinë e personit përgjegjës të subjektit juridik”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë.
Kjo, sipas MMPHI-së, është bërë për keqmenaxhim në Deponinë e Skories në Çikatovë, me ç’rast kanë ndikuar në ndotje të mjedisit dhe ajrit me pluhur nga aktiviteti i transportit dhe deponimit të mbeturinave të skories nga procesi teknologjik, e që kjo cilësohet mospërmbushje e obligimeve ligjore për respektimin e kushteve mjedisore.
“Kemi pasur lajmërim para ca ditësh nga Inspektorati i Komunës së Drenasit lidhur me ndotjen e lumit Drenica, sipas të cilëve ka pasur shkarkime ujore në rrjedhën ujore të lumit Drenica. Inspektorati i MMPHI-së me të marrë këtë informatë së bashku me IHMK-në kanë dalë dhe kanë marrë mostrat e ujit për analiza”, thuhet në përgjigje.
Sipas MMPHI-së, analizat nuk i kanë marrë akoma dhe se do të veprohet sipas gjetjeve të analizave laboratorike.
“Ferronikeli”: Po veprojmë në përputhje me Lejen e Integruar Mjedisore
Ndërsa nga kompania “Ferronikeli” në një përgjigje me shkrim ditë më parë ka thënë se veprimet e tyre janë në përputhje me Lejen e Integruar Mjedisore.
“Mbulimi po bëhet me dhe humus, me qëllimin që më pas të rikultivohet e gjelbërohet hapësira e sipërme. Trajtimi i hapësirës do të vazhdojë edhe më tutje në faza të reja të projektit”, thuhet në përgjigjen e tyre.
Sipas kësaj kompanie, uji që ndodhet në afërsi të deponisë së skories, e që skoria ka kontakt me të, nuk është ujë burimor.
“Është ujë sipërfaqësor që mblidhet aty si pasojë e reshjeve atmosferike dhe si i tillë nuk rrezikon që të depërtojë në puset e ujit për pije të banorëve përreth”, thuhet në përgjigjen e “Ferronikelit”.