Ministria e Mbrojtjes dhe Forca e Sigurisë së Kosovës ka marrë në menaxhim pronat e ish-Aeroportit të Dumoshit afër liqenit të Batllavës.
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, e ka cilësuar këtë pikë strategjike për rritjen e mbrojtjes dhe sigurisë së Kosovës.
“Vendosja e ushtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në pronat e Aeroportit të Dumoshit në Podujevë është një zhvillim domethënës për sigurinë dhe stabilitetin në rajon. Ky hap forcon praninë e FSK-së në regjionin e Llapit dhe Gollakut, duke ofruar siguri shtesë për banorët e kësaj ane si dhe për të ofruar mbështetje më të mirë dhe më të shpejtë për reagime emergjente dhe për operacione në rast të emergjencave civile”, ka shkruar ai në Facebook.
Sipas Maqedoncit, vendimi tregon angazhimin e institucioneve për të fuqizuar kapacitetet ushtarake dhe për të kontribuar në një mjedis më të sigurt.