Arbëri

Ministria e vlerësoi tokën te “Prishtina e re” shtatë fish më pak se në treg

Ministria e Financave ka pezulluar ekzekutimin e vendimit të Komunës së Prishtinës për këmbim të pronave. Por ka vazhduar që ta mbajë të fshehtë dokumentin me të cilin ua bëri atyre vlerësimin. E bazuar në llogaritjet që i ka bërë KOHA, pasi shuma është prezantuar një ditë më parë nga zyrtarë komunalë, del se kjo ministri e ka vlerësuar 4.500 euro një ar tokë komunale te “Prishtina e Re”, teksa atë private në Badoc me rreth 6.000 për ar

As Komuna e Prishtinës dhe as Ministria e Financave nuk i kanë publikuar hollësitë e vlerësimeve financiare, të cilat kanë qenë bazë për këmbimin e pronës private në Badoc të ish-klientit të kryetarit të kryeqytetit, Përparim Rama, me atë komunale në zonën “Prishtina e Re”, ku janë të lejuar ndërtimet.

Bazuar në pretendimet që janë bërë gjatë konferencës të së enjtes të zyrtarëve të Komunës së Prishtinës, Ministria e Financave e ka vlerësuar pronën komunale me vlerë prej 3 milionë e 75 mijë e 435 euro.

Po qe se kjo vlerë përpjesëtohet me sipërfaqen prej 6 hektarësh e 66 arësh, sa figuron në vendimin e Komunës së Prishtinës të vitit 2021, i bie që një ar tokë është vlerësuar me çmim prej 4 mijë e 659 eurosh. E hulumtimi i KOHËS ka nxjerrë që një ari në pjesën afër tokës komunale ka vlerën nga 35 mijë e deri në 50 mijë euro, në disa raste.

Bazuar në këtë llogaritje, një ar tokë në Badoc, në zonën ku nuk mund të bëhen ndërtime, Ministria e Financave e ka vlerësuar me çmim prej 6 mijë 154 eurosh. E KOHA ka gjetur që çmimi në treg i një ari tokë në këtë zonë sillet nga 2.500 e deri në 5.000 euro për ar.

KOHA ka 7 ditë që ka dërguar pyetje tek Ministria e Financave dhe te ministri, Hekuran Murati, lidhur me atë se si ka ndodhur që vlerësimi për një zonë, ku nuk mund të ndërtohet, të jetë bërë 8 milionë euro ndërsa në një zonë ku ka potencial të madh zhvillimi të jetë 3 milionë euro, si dhe se kush e ka bërë këtë vlerësim. Por përgjigjja ka munguar.

KOHA ka raportuar se të paktën 7 hektarë në “Prishtina e Re”, me propozim të ish-kryetarit të Komunës, Shpend Ahmeti, me vlerësim të Ministrisë së Financave në vitin 2022 dhe me nënshkrim të kryetarit aktual, Përparim Rama, në po të njëjtin vit, i janë bartur në pronësi ish-klientit të Ramës, Rrahman Haradini. Në këmbim, Komuna e ka marrë pronën e tij në Badoc.

Në dhjetorin e vitit të shkruar, kryetari Rama ka propozuar që Haradinit t’i këmbehet edhe një pronë tjetër në po të njëjtën zonë. Vendimi ka kaluar në Kuvendin Komunal si dhe filtrin e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL). Pas raportimit të KOHËS, MAPL-ja e rikthyer vendimin te Komuna e Prishtinës, ndërsa Ministria e Financave e ka pezulluar vlerësimin financiar.

Iniciativa për Progres (INPO) të premten, nëpërmjet një reagimi, i ka kërkuar Komunës së Prishtinës që ta anulojë vendimin, për të cilin ka identifikuar gjashtë shkelje ligjore në procesin e dytë.

“Neni 24.2. i Ligjit për Dhënien në Shfrytëzim dhe Këmbimin e Pronës së Paluajtshme të Komunës (LDhShKPPK) ka përcaktuar se ‘Prona e paluajtshme e komunës mund të këmbehet vetëm për sigurimin e pronës për qëllime të përmbushjes së interesit publik, në përputhje me kompetencat ligjore të nivelit të qeverisjes lokale’. Nisur nga fakti se interesi publik është kriteri kryesor që lejon këmbimin e pronës së paluajtshme të Komunës dhe rëndësisë kruciale të arsyetimit të një vendimi administrativ, do të mjaftonte vetëm kjo arsye që ky vendim të konsiderohej i kundërligjshëm, pasi që kryetari i Komunës ka dështuar të argumentoj se si përmes këtij këmbimi synohet të përmbushet ndonjë interes publik i komunës apo qytetarëve të saj”, thuhet në njoftimin e INPO-s.

Në këtë organizatë e kanë vlerësuar paradoksal vendimin për këmbimin e tokave.

“Kjo pasi prona e cila përmes këtij këmbimi u jepet personave fizik është pikërisht prona që gjendet në zonën ku synohet realizimi i këtij projekti. Pra, përderisa thuhet se synimi është realizimi i planit rregullues ‘Prishtina e re’, pikërisht në këtë pjesë u jepet prona personave fizik. Ndërsa, për këtë synim, merret një pronë në Zonën Kadastrale në Zllatar, që gjeografikisht nuk ka të bëjë asgjë me projektin ‘Prishtina e re – Zona Qendër’”, kanë thënë në këtë organizatë.

Të gjitha këto mangësi në plotësimin e kritereve ligjore të vendimit dhe procedurës së ndjekur për këmbimin e pronave mes komunës dhe personave fizikë, sipas INPO-s, e bëjnë këtë vendim të kundërligjshëm dhe arbitrar që nuk i shërben interesit publik dhe cenon rëndë besimin e qytetarëve në punën e organit më të lartë vendimmarrës në komunë, Kuvendit.

“Për më tepër, raportimet e medias se personat fizikë me të cilët është bërë këmbimi i pronave, kanë qenë klientë apo bashkëpunëtorë të kryetarit të Komunës para se ky i fundit të zgjidhej, ngrenë dyshime të bazuara rreth ekzistimit të konfliktit të interesit në këtë proces dhe anëtarët e Kuvendit duhet të sigurohen se situatat e konfliktit të interesit të shmangen sipas standardeve ligjore në mënyrë që vendimmarrja të jetë e ligjshme dhe në shërbim të interesave të përgjithshme të qytetarëve dhe në asnjë mënyrë të grupeve apo personave të caktuar”, është theksuar në kërkesën e INPO-s.

Pas raportimit të KOHËS për rastin, Prokuroria e Shtetit ka nisur hetim parapenal. E për këtë këmbim prone, Komuna e Prishtinës do të përballet edhe me padinë e ushtruar të enjten nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD). Në padinë për inicimin e konfliktit administrativ është thënë se në vendimin që e ka marrë Kuvendi Komunal i Prishtinës nuk janë aplikuar fare dispozitat ligjore, nuk është vepruar sipas rregullave të procedurës, nuk është vërtetuar drejt gjendja faktike apo nëse nga faktet e vërtetuara është nxjerrë konkluzioni jo i drejtë në pikëpamje të gjendjes faktike.

E kryetari i Prishtinës ka insistuar se nuk ka shkelje ligjore në procesin e këmbimit të pronave komunale me ato të ish-klientëve të tij. Në një konferencë për media, zbulimin e skandalit nga KOHA ai e ka quajtur sulm ndaj tij dhe punës së Komunës.