Arbëri

Ministria e Bujqësisë s’e pagoi kompaninë që rinovoi katin për të cilin s’pati kontratë për shfrytëzim

Ministria e Bujqesise

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural nuk ia ka paguar mjetet kompanisë që kishte angazhuar për ta rinovuar katin për të cilin nuk kishte kontratë për shfrytëzim. Kompania po kërkon përmes përmbarimit që t’i marrë paratë e parapara me kontratë. Lidhja e kontratës është duke u hetuar nga Prokuroria Speciale

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR) angazhoi një kompani për rinovim të katit që nuk kishte kontratë për shfrytëzim dhe në fund nuk e pagoi.

Kontrata e lidhur mes MBPZHR-së dhe kompanisë “Sinani Ing”, në nëntor të vitit 2020, parashihte rinovimin e kateve katër dhe pesë në ndërtesën “Ramiz Sadiku” në Prishtinë, në vlerë mbi 31 mijë euro.

Moskryerja e një pjese të pagesës ka bërë që rasti të përfundojë në përmbarim.

Inxhinieri i kompanisë, Florian Kurrumeli, ka thënë se pas ndërrimit të pushtetit nuk ishin bërë pagesat në bazë të kontratës së nënshkruar.

“Ndërroi pushteti edhe mbetën disa pagesa, nuk i ekzekutuan, madje kur erdhën ministra të rinj, sekretarë të rinj, askush nuk e merrte përgjegjësinë dhe ne jemi detyruar që të shkonim me përmbarues. Sa e di unë, kompania i ka dërguar në përmbarim, a janë bërë pagesat a jo nuk e di. Realisht punimet janë kryer, janë kryer konform asaj paramase”, ka thënë ai.

Se rasti ka përfunduar në përmbarim kanë konfirmuar edhe në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.

“Ju informojmë se në bazë të propozimit për përmbarim të përmbaruesit privat Myjesere Mujku nga Prishtina, për Gjykatën Themelore në Prishtinë P.nr.111/2021 të datës 30.6.2021, të protokolluar në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural me nr.2914 të datës 15.07.2021, e kemi dërguar prapësimin në propozim për përmbarim, me të gjitha provat përkatëse”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Bujqësisë.

Ministrisë së Bujqësisë i kishte mjaftuar një marrëveshje gojore me kompaninë “A2 Group” që t’i lejohet shfrytëzimi i katit të pestë për periudhën njëvjeçare pa kosto financiare, që të lidhte kontratë për renovim të tij, në vlerë rreth 16 mijë euro.

Kontrata ishte nënshkruar nga ish-ushtruesi i detyrës së sekretarit, Bekim Hoxha, i cili tani është zëvendëskryeshef i Agjencisë së Pyjeve.

Rinovimi ishte bërë pas një kërkese për ndarje të hapësirës nga Fllanza Balaj-Kurtishaj, drejtoreshë e Departamentit për Financa dhe Administratë të Përgjithshme, në Ministri.

“Duke iu referuar situatës së rënduar në tërë botën, po ashtu edhe në Kosovë me pandeminë Covid-19, jemi të detyruar që të bëjmë riorganizimin e stafit në zyrë. Ndarjen në këto zyra e kemi paraparë për vendosjen e autoritetit menaxhues, dhomën për takime, etj. Duke marrë parasysh që gjatë kësaj periudhe të pandemisë kemi pasur raste pozitive të zyrtarëve të MBPZHR-së, gjithashtu edhe në projektin e Bankës Botërore ARDP dhe duke u bazuar në kërkesat e Ministrisë së Shëndetësisë dhe manualit të tyre, Institutit Kombëtar për Shëndetin Publik dhe Organizatës Botërore të Shëndetësisë”, thuhet në kërkesën e saj e ministrisë.

Kontrata e lidhur mes Ministrisë së Bujqësisë dhe kompanisë “Sinani Ing” është duke u hetuar nga Prokuroria Speciale.

Procedura e prokurimit ishte zhvilluar nga agjencia zbatuese e projektit ARDP me Bankën Botërore, ndërkaq kontrata dhe obligimet kontraktuale janë nënshkruar dhe i takojnë Ministrisë së Bujqësisë.

KOHA ka kërkuar përgjigje nga Banka Botërore, Zyra në Kosovë, nëse është në dijeni që rasti është duke u hetuar, por nga ky institucion kanë thënë që për këtë duhet pyetur në Ministrinë e Bujqësisë.

“Projekti për Bujqësi dhe Zhvillim Rural (PBZHR) është një projekt i Republikës së Kosovës që është zbatuar nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR). Prandaj, pyetjet e mëtejshme mund t'i drejtohen MBPZHR-së pasi që Banka Botërore nuk ndërhyn në punët e brendshme të vendit”, thuhet në përgjigjen e Bankës Botërore.

Ministria e Bujqësisë paguan 28.080 euro për muaj kompaninë private “A2 Grup” për shfrytëzimin e objektit.

Kontrata ishte nënshkruar më 27 gusht 2019 dhe zyrtarët e kësaj ministrie kishin kaluar nga objekti ku është aktualisht Ministria e Kulturës, por që ishte kërkuar zhvendosja e tyre, pasi aty planifikohej të akomodohej Presidenca.

KOHA pati raportuar se hapësira e kontraktuar nga ministritë e edhe nga agjencia është në pronësi të kompanisë “A2 Group”, në të cilën 75 për qind të aksioneve i ka Gazmend Demi.

Kontratat që kanë hyrë në fuqi shtatorin e vitit 2019, në emër të kompanisë i ka firmosur Arben Akiki, aksionar tjetër, i cili është nga Maqedonia.

Por, prej kur ministritë kanë firmosur kontratat e qirasë, Presidenca i ka pushuar përpjekjet për t’u zhvendosur tek ish-Komiteti.