Ministria e Bujqësisë e ka vazhduar edhe për dy vjet të tjerë kontratën për shfrytëzimin me qira të objektit, ku është e akomoduar. Kostoja e qirasë deri në fundgushtin e 2025-s e kap vlerën prej afro 1.4 milion eurosh. Ndërkaq, për ndërtimin e një objekti të paraparë për vendosjen e kësaj ministrie dhe të agjencitë që veprojnë në kuadrin e saj, ende nuk është nisur asnjë procedurë. E që nga viti 2019, deri më tani, për qira të shfrytëzimit të objektit janë shpenzuar rreth 3 milionë euro
Mundësinë e rialokimit të stafit nëpër objekte private, me qëllim të përmbushjes së apetiteve për luks të individëve të caktuar në nomenklaturën politike, e pati përjashtuar kryeministri Albin Kurti, nëntorin e 2019-s, pak para ardhjes në pushtet.
Por, KOHA mëson se vartësi i tij, ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, e ka përtërirë kontratën me kompaninë “A2 Group”, për shfrytëzimin me qira të objektit, në të cilin është e vendosur kjo ministri, bashkë me një agjenci që veprojnë në kuadër të saj.
Zyrtarët e Ministrisë së Bujqësisë dhe ata të Agjencisë për Zhvillim të Bujqësisë do të vazhdojnë të qëndrojnë së paku edhe dy vjet në këtë objekt, për të cilin këto dy institucione kanë paguar për qira një shumë prej rreth 2.7 milionë eurosh, që nga shtatori i vitit 2019.
Bazuar në kontratën e siguruar nga KOHA, Ministria do të paguajë shumë të njëjtë sikurse me aneks-kontratën që e pati vazhduar për një vit, në gushtin e shkuar - nga 27 mijë e 300 euro në muaj, deri më 31 gusht të 2025-s.
Njësoj do të paguajë edhe Agjencia për zhvillim të Bujqësisë. Nga qiratë e të dy institucioneve, kompania “A2 Group”, brenda dy vjetësh do të përfitojë afro 1.4 milion euro.
E deri tani ajo ka grumbulluar rreth 2.7 milionë euro, përkatësisht 225 mijë euro në 2019, nga 674 mijë gjatë vitit 2020, 2021 dhe 2022 si dhe 450 mijë euro deri në gusht të këtij viti.
Në Ministrinë e Bujqësisë nuk iu përgjigjën prej ditësh pyetjeve të KOHËS lidhur me vazhdimin e kontratës.
Zyrtarë të saj nuk treguan as se çfarë ka ndodhur me projektin e ndërtimit të objektit, që Ministria pati parashikuar ta realizonte me buxhetin për vitin 2023 e për të cilin ka ndarë 1 milion euro për sivjet, e 980 mijë euro për vitin e ardhshëm. Por burime të KOHËS thanë se për realizimin e projektit nuk është nisur ende asnjë procedurë.
Në këtë objekt ishte paraparë të sistemoheshin zyrtarë të Ministrisë dhe ata të dy agjencive që veprojnë në kuadër të saj, ajo e Pyjeve dhe ajo për Zhvillim të Bujqësisë.
E më herët, nga kjo ministri i patën thënë KOHËS se i kërkuan në vazhdimësi Ministrisë së Punëve të Brendshme që akomodimi të bëhet në ndonjë objekt publik, porse, sipas tyre, kjo nuk është bërë.
Zhvendosja e kësaj ministrie nga një objekt i shtetit në atë privat ishte bërë pas synimeve të ish-presidentit Hashim Thaçi, që godina në qendër të Prishtinës të shndërrohej në rezidencë presidenciale.
Plani nuk është jetësuar, pasi pasuesja e tij, presidentja Vjosa Osmani, u tërhoq nga synimi. E megjithëkëtë, Ministria e Bujqësisë nuk do të kthehet në objektin e ish-Komitetit.
KOHA ka kërkuar sqarim në Ministrinë e Brendshme nëse ka planifikuar një zgjidhje afatgjate për institucionet shtetërore që janë të akomoduara në objekte me qira, porse nuk mori përgjigje.
E ministri i Bujqësisë, Faton Peci kohë më parë ka postuar se si objekte të kësaj ministrie vazhdojnë të shfrytëzohen nga palë të treta.
I tillë është edhe objekti katërkatësh i kësaj ministrie, i cili prej pas luftës është kthyer në seli të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), subjekt politik që drejtohet nga kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj.
E pikërisht në mandatin e Qeverisë Haradinaj, Ministria është zhvendosur nga ndërtesa e ish-Komitetit, në një pronë private për të cilën paguan qira të lartë.
KOHA ka raportuar se objekti që e shfrytëzon AAK-ja është i Institutit Bujqësor të Kosovës, i cili funksionon nën kupolën e Ministrisë. Ka bodrumin, katin përdhes dhe dy kate të tjera, me një hapësirë prej rreth 1 mijë metrash katrorë. Ai ndodhet në lagjen “Ulpiana” të Prishtinës.
Pjesë të madhe të hapësirës AAK-ja mban me një qira fare simbolike, 2.5 euro për metër katror. Kësisoj, kontrata me këtë institucion është 2450 euro për muaj.
Ndërkaq, Ministria paguan më shumë se shtatë fish më shtrenjtë për qiranë ku e ka dislokuar këtë vit stafin.
Qiraja që nga shtatori i 2019 Ministria paguan për metër katror është 18 euro, ndërsa në 2022 ai ishte zbritur për 0.50 euro, përkatësisht në 17.50 euro për metër katror.
Paratë i shkojnë kompanisë “A2 GROUP”, e cila është pronare e hapësirës ku është vendosur Ministria, në ish-ndërtesën “Ramiz Sadiku”, që ndodhet në lagjen “Lakërishte” në kryeqytet.