Pa pasur kontratë për shfrytëzim, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural nënshkroi kontratë për rinovim të një kati në ndërtesën ku është e akomoduar. Ajo është mjaftuar me një marrëveshje “gojore” me kompaninë “A2 Group” që t’i lejohet shfrytëzimi i katit të pestë për periudhë 1-vjeçare pa kosto financiare. Lidhja e kontratës me kompaninë “Sinani Ing” për rinovim po hetohet nga Prokuroria Speciale
Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural në mënyrë të kundërligjshme, në nëntor të vitit 2020, lidhi kontratë me një kompani private për rinovimin e katit të pestë në ndërtesën “Ramiz Sadiku” në Prishtinë, ani se për këtë kat nuk pati kontratë për shfrytëzim.
Rinovimi i këtij kati i kushtoi afro 16 mijë euro, por që nuk u shfrytëzua nga Ministria. Në kuadër të kësaj kontrate ishte bërë edhe rinovimi i katit të katërt, ku është i akomoduar kabineti i ministrit.
Kontrata është nënshkruar nga ish-ushtruesi i detyrës së sekretarit, Bekim Hoxha, i cili tani është zëvendëskryeshef i Agjencisë së Pyjeve, dhe parashihte rinovimin e dy kateve.
Ministrisë i ka mjaftuar një marrëveshje “gojore” me kompaninë “A2 Group” që t’i lejohet shfrytëzimi i katit të pestë për periudhë 1-vjeçare pa kosto financiare.
Objekti duhej të lirohej në korrik të vitit 2021, pasi që kompania ishte marrë vesh me një institucion tjetër për lëshim me qira.
KOHA ka kërkuar sqarime në Ministri se cilat kate i ka në shfrytëzim me kontratë. Zyrtarë të saj kanë bërë të ditur se në bazë të kontratës për qira që kanë me kompaninë “A2 Group”, në shfrytëzim kanë vetëm katin e tretë, të katërt dhe të gjashtë të ndërtesës. Jo edhe katin e pestë.
“Ju njoftojmë se në këtë objekt MBPZHR-ja sipas kontratës me OE ‘A2 Group’ shfrytëzon sipërfaqen prej 1560 m2, për shfrytëzimin e tri kateve III, IV dhe VI”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë.
Se Ministria nuk ka kontratë për shfrytëzim të katit të pestë, thonë të mos kenë qenë në dijeni në kompaninë “Sinani Ing”, që realizoi rinovimin e katit të pestë.
Florian Kurrumeli, inxhinier në kompaninë “Sinani ING”, ka thënë se për punimet që i ka kryer kompania ka një kontratë me Ministrinë e Bujqësisë. Ai thotë se janë kryer punët në bazë të kontratës së nënshkruar.
“Punimet janë kryer, është fakt i pamohueshëm, ekziston kontrata, faturat e pranimit që janë kryer punimet, dhe besoj që ato janë në atë gjendje, nëse nuk i ka hequr dikush ato mure, nëse është hala tu i shfrytëzuar Ministria në atë objekt, por që punimet janë kryer”, ka thënë Kurrumeli.
Lidhja e kontratës për rinovim nuk është bërë përmes procedurave të prokurimit.
Në një përgjigje për KOHËN, nga Ministria kanë bërë të ditur se procedurat e tenderimit ishin kryer përmes Projektit për Bujqësi dhe Zhvillim Rural (ARDP), i financiar nga kredia e Bankës Botërore.
Kjo, pasi siç thuhet në përgjigje, Ministria e Punëve të Brendshme që ka në kuadër të saj administratën publike, nuk ishte përgjigjur në kërkesën që MBZHR-ja kishte bërë për zgjerim të hapësirës shkaku i situatës me pandeminë COVID-19.
“Pasi në atë periudhë kohore MBPZHR-ja i ka pasur të emëruar pesë zëvendësministra dhe një pjesë e stafit të Autoritetit Menaxhues ishte i vendosur në këtë kat, kemi kërkuar që të bëhet ndarja e hapësirave për zyra me pllaka të knaufit sikurse janë edhe katet e tjera”, thuhet në përgjigjen e MBZHR-së.
Në mungesë të përgjigjes nga MPB-ja dhe të mjeteve financiare, Ministria e Bujqësisë ka kërkuar ndihmë nga Projekti ARDP për rinovimin e kateve.
“Projekti i ARDP-së të gjitha procedurat e shpalljes, aplikimit dhe vlerësimit i ka udhëhequr në përputhshmëri me legjislacionin në fuqi të Bankës Botërore, duke formuar Komisionin për hapje dhe vlerësim të ofertave për shqyrtim dhe zgjedhjen e kompanisë adekuate e cila ka ofruar çmim më të favorshëm ekonomik, duke iu përmbajtur specifikave përkatëse”, thuhet tutje në përgjigjen e Ministrisë.
Rinovimi ishte bërë pas një kërkese për ndarje të hapësirës nga Fllanza Balaj-Kurtishaj, drejtoreshë e Departamentit për Financa dhe Administratë të Përgjithshme në Ministri.
“Duke iu referuar situatës së rënduar në tërë botën, po ashtu edhe në Kosovë me pandeminë COVID-19 jemi të detyruar që të bëjmë riorganizimin e stafit në zyra. Ndarjen në këto zyra e kemi paraparë vendosjen e Autoritetit Menaxhues, dhoma për takime, etj. Duke marrë parasysh që gjatë kësaj periudhe të pandemisë kemi pasur raste pozitive të zyrtarëve të MBPZHR-së, gjithashtu edhe në Projektin e Bankës Botërore ARDP dhe duke u bazuar në kërkesat e Ministrisë së Shëndetësisë dhe manualit të tyre, Instituti Kombëtar për Shëndetin Publik dhe Organizatës Botërore të Shëndetësisë”, thuhet në kërkesën për rinovim.
Siç mëson KOHA, procedurat e prokurimit ishin zhvilluar nga Banka Botërore – Projekti ARDP, ndërkaq kontrata dhe obligimet kontraktuale janë nënshkruar dhe i takojnë Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.
Tutje thuhet se në këto zyra do të bëhet ndarja e rreth 500 metrave katrorë, duke përfshirë edhe hapësirat përcjellëse.
“Kësaj shkrese se si të bëhet specifikacioni teknik dhe ndarja e hapësirave për zyra dhe riorganizim do ju përcjellim sa më shpejt më qëllim të funksionalizimit të stafit”, thuhet në kërkesë.
Por kjo kontratë është bërë objekt hetimi nga Prokuroria Speciale.
KOHA ka mësuar se Prokuroria ka kërkuar sqarime nga Ministria se mbi çfarë baze ligjore ishte zhvilluar procedura e prokurimit lidhur me përzgjedhjen e kompanisë fituese “Sinani ING” për rinovimin e katit IV dhe V nga Banka Botërore – Projekti i ARDP-së.
Ish-ushtruesi i detyrës së sekretarit, Bekim Hoxha, nuk ka kthyer përgjigje në pyetjet e KOHËS lidhur me hetimet që janë duke u bërë për këtë kontratë.
Nuk janë përgjigjur as nga Banka Botërore, as nga Agjencia zbatuese e projektit të ARDP-së.
Nga BB-ja dhe ARDP-ja nuk janë përgjigjur as në pyetjet nëse kanë qenë në dijeni që Ministria nuk kishte kontratë për shfrytëzim të hapësirës së katit të pestë.
Projekti me Bankën Botërore që është përmbyllur më 31 dhjetor 2022 parashihte përmirësim të produktivitetit dhe qasjes në tregje të përfituesve të projekteve në sektorët e hortikulturës dhe blegtorisë në Kosovë, si dhe forcimin e kapaciteteve institucionale të Ministrisë së Bujqësisë.
“Agjencia zbatuese është përgjegjëse për zbatimin e projektit, duke përfshirë kryerjen e të gjitha aktiviteteve të prokurimit. Banka Botërore mbikëqyr zbatimin. Projekti ka financuar punimet rehabilituese të objekteve të MBPZHR-së për të ofruar kushte adekuate të punës për stafin e Ministrisë dhe punët janë prokuruar nga MBPZHR-ja sipas procedurave të prokurimit të aplikueshme për PBZHR-në”, thuhet në përgjigjen e BB-së.
Ministria e Bujqësisë e paguan 28.080 euro në muaj kompaninë private “A2 Grup” për shfrytëzimin e objektit.
Kontrata është bërë më 27 gusht 2019 dhe zyrtarët e kësaj ministrie kishin kaluar nga objekti ku është aktualisht Ministria e Kulturës, por që ishte kërkuar zhvendosja e tyre, pasi aty planifikohej të akomodohej Presidenca.
Edhe pse ka dështuar projekti për kalimin e Presidencës në këtë hapësirë, MBPZHR-ja nuk është kthyer në objektin ku është e vendosur Ministria e Kulturës, e ku disa zyra janë të pashfrytëzuara.