Një kompani që Ministria e Bujqësisë e kontraktoi për ta bërë projektin për rinovim të objektit të saj, e në të cilin pati selinë AAK-ja, parashikoi që për largimin e inventarit nga 33 hapësira, çmimi i përgjithshëm të jetë 18 mijë e 300 euro. Por, Ministria pagoi gati katërfish më shtrenjtë. Për largimin e inventarit dhe mbetjeve të tjera nga 22 hapësira, ajo pagoi 20 fish më shumë, krahasuar me koston e paraparë nga projektuesi
Ministria e Bujqësisë pagoi rreth 48 mijë euro më shumë krahasuar me çmimin e paraparë nga kompania projektuese për largimin e inventarit nga ndërtesa në Ulpianë, në një pjesë të të cilit objekt për vite e pati selinë AAK-ja.
Duke u thirrur në mungesë të profesionistëve, Ministria ka angazhuar kompaninë “Primo Studio” për hartimin e projektit për rinovimin e dy kateve dhe kulmit të këtij objekti.
Kompania ka paraparë që për largimin e inventarit nga 33 hapësira, çmimi i përgjithshëm të jetë 18 mijë e 300 euro. Sipas kompanisë projektuese, për 2 hapësira duhej paguar nga 50 euro, për 22 të tjera nga 100 euro, për 1 hapësirë 300 euro, për 1 tjetër 700 euro, për 3 hapësira nga 1.500 euro, për 3 të tjera nga 2.500 euro, kurse për 1 hapësirë 3.000 euro
Por, Ministria kontraktoi konsorciumin e përbërë nga kompanitë “Limit Project” dhe “Lurn”, e i cili te pozicioni i largimit të inventarit ka aplikuar me çmim gati katërfish më të lartë sesa ai i paraparë nga projektuesi. Për secilën nga 33 hapësirat që kishin madhësi të ndryshme, pagoi nga 2 mijë euro, përfshirë edhe për 22 hapësirat që projektuesi kishte paraparë kosto 20 fish më të ulët. Kësisoj, 66 mijë euro Ministria i dha për heqjen e inventarit, në kuadër të kontratës për renovim me vlerë totale prej rreth 360 mijë eurosh.
Në Ministri nuk iu përgjigjën pyetjeve të KOHËS për këtë shkallë dallimi në çmimet mes projektuesit dhe fituesit të tenderit.
E njëra prej kompanive në konsorciumin fitues, arsyetoi çmimin gati katërfish më të shtrenjtë.
“Parametrat mbi të cilët bazohemi janë të ndryshëm, andaj edhe mund të vijë deri te diskrepanca në çmime në mes projektit dhe ofertës. Po ashtu, kompania projektuese me shumë gjasë është dashur të bëjë një vizitë në terren, për të incizuar gjendjen faktike, për të përgatitur projektin, gjë të cilën ne nuk e kemi bërë dhe as nuk e kemi pasur këtë mundësi”, thuhet në përgjigjen e kompanisë “Limit Project”.
Sipas kompanisë, çmimet janë të vendosura bazuar në vlerën e tërësishme të kontratës së përcaktuar nga Autoriteti Kontraktues dhe se Ministria nuk i ka kërkuar sqarime lidhur me çmimet e vendosura.
E kompania projektuese “Primo Studio” nuk është përgjigjur në pyetjet e KOHËS lidhur me çmimet që ajo ka paraparë.
Sipas dokumentacionit të siguruar nga KOHA përmes qasjes në dokumente publike, kompania projektuese ka vlerësuar se rinovimi i dy kateve dhe kulmit të objektit në Ulpianë do të kushtonte rreth 300 mijë euro. Përkundër kësaj, Ministria e Bujqësisë e ka hapur tenderin me vlerë të parashikuar për 70 mijë euro më shumë.
Kjo Ministri nuk sqaroi pse e ka bërë këtë.
Kur muajin e shkuar KOHA raportoi për projektin, ministria nuk lejoi qasje brenda objektit.
E pamjet e një videoxhirimi të realizuar gjatë kohës kur AAK-ja është zhvendosur zyrat, tregojnë se shumica e hapësirave në bodrum kanë qenë të pastruara dhe në to nuk ka pasur inventar.
Ndërkaq, të kundërtën e ka thënë kompania “Limit Project”, e cila ka prezantuar një foto si dëshmi, por jo për të nëntë hapësirat e bodrumit.