Arbëri

Ministria e Bujqësisë aplikoi standarde të dyfishta për çmimet, në tenderin e njëjtë

Ministria e Bujqësisë ka përdorur standarde të dyfishta, kur ka vendosur për çmimet brenda tenderit të njëjtë. Ajo ka paguar për largimin e inventarit ashtu siç ka ofertuar konsorciumi, çmim gati katërfish më i lartë sesa ka parashikuar projektuesi. Por, ndryshe ka vepruar kur ka negociuar për punët shtesë

Ministria e Bujqësisë nuk ka aplikuar standarde të njëjta që lidhen me çmimet, gjatë procesit të renovimit të objektit në Ulpianë, në një pjesë të të cilit e ka pasur selinë AAK-ja.

Ajo ka paguar për largimin e inventarit ashtu siç ka ofertuar konsorciumi, çmim gati katërfish më i lartë sesa e ka parashikuar projektuesi. Por, ndryshe ka vepruar kur ka negociuar për punë shtesë.

Ky konsorcium, pjesë e të cilit është kompania “Limit Project”, ka kërkuar 25 euro për një metër katror të suvatimit me ngjitës dhe rrjetë, ndonëse në treg çmimi për të sillej rreth 2 euro. Ministria nuk është pajtuar me këtë, ka treguar dokumentacioni që e posedon KOHA.

“Çmimi i ofertuar nga OE për këtë pozicion sipas anëtarëve të Komisionit negociues është shumë i lartë dhe i njëjti është kundërshtuar nga komisioni, duke theksuar se bëhej fjalë për të njëjtat sipërfaqe të mureve 1097.9 m2 të cilat figuronin edhe në kontratën bazë, por me mangësi të disa specifikave (suvatimi me ngjitës siporex, rrjeta dhe masa rrafshuese) që mungonin në kontratën bazë”, thuhet në raportin e Komisionit për punët shtesë.

Të njëjtën gjë nuk e kishte bërë Komisioni vlerësues i ofertës bazë, i cili nuk pati kërkuar sqarime për çmimet e vendosura në pozicione, e që ishin shumë më të larta sesa ato të projektuesit.

Diana Metushi, hulumtuese në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), ka thënë se Ministria ka përdorur standarde të dyfishta të vlerësimit.

“Në njërën e ka pranuar një ofertë të mirëqenë e cila ka shumë diskrepancë me raportin e ekspertizës, ndërsa në anën tjetër për punët që kanë qenë veçse të ofertuara ka hyrë në negociata dhe ka bërë një seri negociatash duke e vërë në pikëpyetje qëllimin prapa këtyre negociatave, nëse e njëjta nuk është bërë në raundin e parë”, ka theksuar Metushi-Krasniqi.

E, në kompaninë “Limit Project” i kanë cilësuar qesharake pyetjet e KOHËS në lidhje me çmimin ofertues që ka qenë më shumë se 10-fish më i lartë sesa ai i tregut.

“Kjo pyetje është sa qesharake, aq edhe e shpërfaq mosnjohurinë tuaj dhe njohjen e konceptit të ekonomisë së lirë të tregut. Vetë esenca e ekzistimit të shoqërive tregtare apo korporatave, është realizimi i profitit, përkitazi me përmbushjen e kontratave të nënshkruara”, kanë thënë në kompaninë “Limit Project”.

Në tenderin për rinovimin e objektit të Ministrisë së Bujqësisë në Ulpianë ka qenë vetëm një ofertues.

Hulumtuesja e KDI-së Metushi-Krasniqi ka ngritur dyshimet edhe për këtë.

“Tash ngritën dyshime mbi çka është bazuar rritja e vlerës së parashikuar të tenderëve sidomos kur keni parasysh se bizneset synojnë të arrijnë vlerën maksimale që është vlerësuar dhe rrallëherë janë bizneset të sinqerta që thonë veç kaq më duhet, përveç në rastin kur kemi më shumë konkurrencë, por në këtë rast kemi pasur vetëm një operator ekonomikë që ngrit dyshime tjera pse kemi një operatorë të vetëm ekonomik kur ne kemi me dhjetëra mjera kompani që kryejnë shërbimin të regjistruara në ARBK”, ka thënë ajo.

Kontrata për renovimin e objektit në Ulpianë ka qenë në vlerë afro 360 mijë euro, 66 mijë euro prej të cilave janë dhënë për largimin e inventarit edhe nga disa hapësira për të cilat video të siguruara kanë treguar se ishin boshe.