Arbëri

Ministria e Arsimit bën kallëzim penal ndaj Komunës së Prishtinës

Inspektorati i Ministrisë së Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë ka bërë kallëzim penal kundër Komunës së Prishtinës, për siç kanë thënë parregullsitë në konkursin për përzgjedhjen e drejtorëve në institucionet edukativo-arsimore. Teksa, në gjimnazin “Sami Frashëri”, qe dy ditë është duke u bojkotuar mësimi për shkak se mësimdhënësit po e kundërshtojnë zgjedhjen e drejtoreshës së re

Procesi i përzgjedhjes së drejtoreshës Fahrie Retkoceri në gjimnazin “Sami Frashëri” në Prishtinë, po konsiderohet i paligjshëm nga Ministria e Arsimit. Nga MASHTI kanë bërë të ditur se kanë kërkuar nga Komuna e Prishtinës, ta anulojnë konkursin, por këta të fundit nuk e kanë bërë një gjë të tillë e si pasojë, Inspektorati i Arsimit ka bërë kallëzim penal ndaj Komunës.

“Ju njoftojmë se e gjithë ecuria e procesit të përzgjedhjes së drejtorëve në institucionet edukativo-arsimore në Komunën e Prishtinës është zhvilluar në kundërshtim me legjislacionin në fuqi të Republikës së Kosovës, që rregullon këtë segment. Për këtë proces, inspektorët e arsimit fillimisht i kanë lëshuar komunës rekomandim për anulim të konkursit e më pas kanë nxjerrë edhe vendim, por komuna nuk ka reflektuar. Kurse pas këtyre veprimeve, Inspektorati është detyruar të bëjë kallëzim penal ndaj Komunës së Prishtinës dhe me rastin janë duke u marrë institucionet kompetente. MASHTI vlerëson se procesi mësimor nuk duhet të pengohet nga askush dhe duhet të zhvillohet normalisht, sepse çështja e përzgjedhjes së drejtorëve në institucionet edukativo-arsimore tashmë është adresuar tek institucionet kompetente”, kanë thënë nga Ministria e Arsimit përmes një përgjigje me shkrim për KOHËN.

Sipas udhëzimit administrativ të arsimit 151/2020, neni 11, ndër të tjera thuhet: “Përfundimi i kontratës së drejtorit/eshës dhe zëvendësdrejtorit/eshës konsiderohet kur: Drejtori kërkon shkëputjen e kontratës për arsye të ndryshme; drejtori është në prag të pensionimit; tregon performancë të dobët në udhëheqjen e institucionit edukativo-arsimor edhe pas rekomandimit për përmirësim dhe kjo është dokumentuar përmes vlerësimit të performancës”.

E, konkursin po e kundërshtojnë edhe mësimdhënësit e shkollës, të cilët qe dy ditë ( nga dita e mërkurë dhe të enjten) po e bojkotojnë mësimin. Ibush Llapashtica, profesor i historisë, ka thënë se bojkoti do të vazhdojë deri kur të përsëritet konkursi dhe kanë akuzuar drejtoreshën e re se i ka kërcënuar ata me shkëputje të kontratave.

“Procesi mësimor nuk do të fillojë pa u anuluar vendimi i DKA-së, për përzgjedhjen e drejtoreshës në mënyrë joligjore. Nën dy, pozitën e drejtorit në detyrë do ta drejtojë cilido nga anëtarët e kolektivit tonë që i përmbush kërkesat. Të hapet konkursi sa më shpejt dhe t’i mundësohet të gjithëve në mënyrë të barabartë të konkurrojnë në pozitën e drejtorit. Nën katër, që zonja Fahrie Ratkoceri t’i tërheqë kërcënimet, dhe të kërkojë falje publike për ofendimet që u ka bërë arsimtarëve”, ka thënë Llapashtica.

Ndërkaq, drejtoresha e sapozgjedhur, Fahrije Retkoceri, ka akuzuar disa prej mësimdhënësve se po e kundërshtojnë emërimin e saj, vetëm për arsye gjinore.

“Shkurt e shqip po ju them se unë jam një femër që e mbroj interesin shoqëror, unë e kam lënë një vend të punës shumë të mirë, sepse i plotësoj kushtet, dhe këta dy personat kur e kam parë që kam konkurru për drejtoreshë në këtë shkollë që të dy janë tërhek, me akuza se po vij me të njohshëm, unë nuk kam të njohshëm, mu ma njohin punën”, ka deklaruar Retkoceri.

E krejt nga kjo tollovi e shkaktuar, po e pësojnë nxënësit. Ata ka dy ditë që nuk janë duke e vijuar mësimin për shkak të bojkotit. Jora Zeneli, kryetare e këshillit të nxënësve në gjimnazin “Sami Frashëri”, ka kërkuar sa më shpejt të kthehen nxënësit në mësim.

“Ne si nxënës të shkollës në bashkëbisedim kemi menduar dhe pajtohemi që ne si nxënës nuk lejojmë të bëhet parregullsi apo shkelje e ligjeve në shkollën tonë, por njëkohësisht nuk duam as sjellje jokorrekte ndaj profesorëve dhe nxënësve. Përveç kësaj, ne si profesorët, nuk jemi pro humbjes së mësimit, për shkak se kemi pësuar mjaft prej situatës pandemike dhe veçse kemi filluar me u kthy në normalitet e nuk duam të shkojë dëm i gjithë mundi e kemi bërë deri tash”, ka thënë Zeneli. Ajo ka mohuar pretendimet e drejtoreshës Retkoceri, se nxënësit po kërcënohen nga mësimdhënësit.

“Ne si nxënës kemi vendosur të dalim në mësim, po flitet që po bëhet manipulimi i nxënësve prej profesorëve ku mundemi me dëshmu që kjo nuk është aspak e vërtetë, për shkak se asnjë profesor as dje e as sot nuk na ka udhëzuar të mos vijmë në mësim, ose me u mundu të na kthejë kundër drejtoreshës së re. Përkundrazi, nuk kemi pasur aq kontakt me profesorë, edhe kemi diskutuar bashkërisht si nxënës që edhe sot të vijmë në mësim”, ka shtuar ajo.

KOHA është munduar të kontaktojë me Drejtorinë Komunale të Arsimit në Komunën e Prishtinës, por ajo ka qenë e paqasshme.