Avokati i përgjithshëm shtetëror, që e përfaqëson Ministrinë e Qeverinë në procese gjyqësore, e ka kaluar provimin me shkrim për noter.
Sami Istrefi, ish-anëtar i PDK-së, që ka mbajtur disa funksione në Komunën e Vushtrrisë, është vetëm një prej zyrtarëve të kësaj ministrie që ka kaluar provimin me shkrim, raporton KTV.
Por, Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, e mohon mundësinë që Istrefi të këtë pasur qasje në detyrat e provimit, derisa thekson se numri i zyrtarëve të ministrisë që nuk e kanë kaluar provimin është më i madh.
Në listën e kandidatëve që kanë kaluar provimin me shkrim, janë edhe disa familjarë të zyrtarëve të PDK-së, përfshirë gruan e ish-ministrit të drejtësisë, Hajredin Kuçi, Fatmire Jerliu, Shemsie Istogu – Lladrovci, gruaja e kryetarit të Drenasit Ramiz Lladrovci, dhe Xhyljeta Demaku, gruaja e deputetit të PDK-së, Rafet Rama.
Lidhur me pretendimet se për kalimin e provimit janë dhënë shuma të ndryshme të hollash, Tahiri tha që menjëherë u është adresuar organeve te hetuesisë.
Tahiri ka folur edhe për përzgjedhjen e anëtarëve të komisionit, që është bërë nga vet ai, përfshirë Nerxhivane Dauti, profesoreshë në UP, dhe ish-deputete e PDK-së, për çka tha se ka besuar në kualitetet profesionale të saj.
Por, për çështjen që e trajtoi KTV-ja gjatë së enjtes, lidhur me konfliktin e interesit të kryetarit të komisionit dhe një anëtareje tjetër, Tahiri sërish nuk i ka bërë të ditur emrat e atyre që e kanë deklaruar atë, por theksoi se është shmangur secila situatë dhe se gjithçka rreth procesit do të jetë transparente.
Provimi me gojë për kandidatët që kanë kaluar fazën e parë pritet të mbahet në fund të javës së parë të korrikut.
Prioritet, sipas ministrit Tahiri, do të kenë licencimin e kandidatëve që vijnë nga komunat ku nuk ka noterë, si Kamenica e katër komunat në veri të vendit.