Arbëri

Ministri Rashiq për muzeun e gjenocidit: Krimet s’duhet të gjeneralizohen

Nenad Rashiq

Nenad Rashiq

Qeveria e Kosovës i hapi rrugë themelimit të muzeut për dokumentimin e krimeve të luftës, por kjo nuk u përkrah nga ministri për komunitete dhe kthim, Nenad Rashiq.

Ai abstenoi të mërkurën në mbledhjen e Qeverisë për Muzeun e Gjenocidit dhe Përpjekje për Liri dhe tha se krimet nuk duhet të gjeneralizohen.

“Sepse konsideroj se çdo krim ka emër dhe mbiemër dhe nuk duhet të gjeneralizohen krimet sikur në këtë pikë. Do të thotë, emri i muzeut nuk është adekuat, ‘Gjenocidi i Serbisë dhe i Jugosllavisë’ ”, ka deklaruar Rashiq pasi u pyet nga KOHA.

Ai ka shtuar se është kundër që shteti i tërë serb të konsiderohet gjenocidal, ndërsa i tha disa propozime si do të duhej të quhej.

“Për shembull ‘Gjenocid lufte’, ‘gjenocid nga kriminelët e luftës’, ‘gjenocide të grupeve paramilitare’, ‘krime lufte’ ose ndonjë shprehje tjetër që unë ndoshta nuk mund ta gjej për shkak të gjuhës, por jo të përdoret shteti i tërë sikur të jetë gjenocidal”, ka shtuar Rashiq.

Abstenimi i ministrit Rashiq në mbledhjen e Qeverisë

Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka deklaruar se muzeu fillimisht do të themelohet si njësi e veçantë në kuadër të Muzeut Kombëtar të Kosovës, e kur Ligji për muze do të hyjë në fuqi, do të trajtohet si institucion.

“Muzeu ka për synim dokumentimin dhe prezantimin e krimeve të ish-Jugosllavisë dhe të Serbisë ndaj shqiptarëve dhe të tjerëve”, është shprehur Çeku gjatë konferencës për media.

Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se provat dhe dëshmitë e krimeve të kryera gjatë luftës po grumbullohen dhe po dërgohen në institucionet e Kosovës “për ruajtjen dhe mirëmbajtjen e kujtesës kolektive duke i ruajtur ato”.

“E në këtë çerek shekull liri, një brez i tërë janë lindur dhe pas luftës janë rritur. Gjeneratat e reja, duhet të kenë mundësinë e njohjes së të kaluarës sonë, të dëshirës për të jetuar në liri dhe të dashurisë së pareshtur për Kosovën, në kohërat më të vështira e në kushtet më të rrezikshme. Të gjitha provat dhe dëshmitë e krimeve të kryera gjatë luftës nga shteti i Serbisë në Kosovë, të mbledhura nga organizata dhe gjykata ndërkombëtare, nga hulumtues të botës akademike apo të pavarur, bashkë me prova dhe dëshmi të pambledhura deri më tani, tash po grumbullohen dhe po vazhdojnë të sillen në  institucionet e Republikës së Kosovës, për ruajtjen dhe mirëmbajtjen e kujtesës kolektive duke i sistematizuar dhe kategorizuar ato. Ne po shikojmë prapa në kohë që të ecim edhe më sigurt edhe më shpejtë në të ardhmen evropiane e paqësore, demokratike e prosperuese”, u shpreh Kurti gjatë mbledhjes së Qeverisë.