Arbëri

Ministri Peci në Dubai: Kosova, ndër vendet me potencial të lartë për zhvillimin e bujqësisë

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, zv.ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani dhe ambasadori i Kosovës në EBA, Xhabir Hamiti, kanë kremtuar bashkë festën e Pavarësisë së Kosovës në “Expo 2020 Dubai”, ceremoni ndërkombëtare kjo që është mbajtur për nder të shënimit të 14-vjetorit të pavarësisë së vendit.

Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, gjatë fjalimit të tij në këtë ngjarje që Kosova për herë të parë po merr pjesë, ka thënë se shteti që përfaqëson është një ndër vendet me potencial të lartë për zhvillimin e sektorit të bujqësisë dhe ndër shtetet që ofron politika të favorshme financiare e bujqësore për investitorët e huaj në këtë sektor.

Ai ka prezantuar mundësitë për investime në sektorin e bujqësisë, duke thënë se cilësia e tokës bujqësore dhe klima e favorshme janë një plus i madh krahas pozitës strategjike, e cila i mundëson Kosovës të jetë vendi kyç për eksport në tregun e Bashkimit Evropian.

“Sipas disa analizave të realizuara më herët, Kosova është një ndër vendet me potencial të lartë për zhvillim të sektorit të bujqësisë, si komponenta e dytë më e rëndësishme për zhvillim ekonomik. Kjo sepse Kosova ka një pozitë strategjike që e lejon dhe e lehtëson eksportin dhe njëherit posedon klimë të favorshme për kultivimin e një game të gjerë produktesh bujqësore. Jemi ithtarë të avancimit të sektorit të bujqësisë pasi që ky sektor është punëdhënësi më i madh në vend. Avantazh tjetër për investim në sektorin e bujqësisë është edhe mosha e re e popullsisë së Kosovës dhe fuqia e madhe punëtore”, ka thënë ministri Peci.

Nga ana tjetër, siç është bërë e ditur nga Ministria e Tregtisë, aktivitetet e sotme kanë filluar me forumin ekonomik, ku përfaqësuesit e institucioneve të Republikës së Kosovës, para të pranishmëve kanë promovuar klimën e përshtatshme biznesore dhe mundësitë që ofron Kosova për investimet e huaja.

Gjatë kësaj ceremonie, fjalën e mori edhe ministrja Hajdari, e cila ka shprehur kënaqësinë për pjesëmarrjen në këtë ekspozitë ndërkombëtare, e cila është edhe e para për Kosovën.

“Në ceremoninë qendrore, udhëheqësja e delegacionit të Republikës së Kosovës, Ministrja Rozeta Hajdari, duke falënderuar homologun e saj emiratas, Ahmand Belhoul Al Falasi, në fjalën e saj përshëndetëse tha se sot Kosova feston historinë dhe kulturën e lashtë të popullit të saj, ditën e shpalljes së pavarësisë dhe dëshirën e përjetshme për përparim dhe prosperitet. Në këtë kontekst, Ministrja Hajdari tha se është kënaqësi e madhe prezenca në Ekspozitën Ndërkombëtare EXPO 2020 Dubai dhe duke qenë se kjo është pjesëmarrja e parë e Kosovës në EXPO, padyshim se kjo do të jetë pjesë e historisë. Po ashtu, Ministrja Hajdari rikujtoi kohën kur EBA së bashku më aleatët ndihmuan Kosovën dhe qytetarët e saj në momentet më të vështira”, thuhet në njoftimin e ministrisë.

Nga ana tjetër, përfaqësuesi i EBA-s, Ahmed bin Abdullah Humaid Belhoul Al Falasi, Ministër i Shtetit për Sipërmarrjen dhe Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme, tha se ndjehen të lumtur që patën mundësinë që së bashku me delegacionin nga Kosova të festojnë ditën më të rëndësishme për qytetarët e Republikës së Kosovës.

Aktivitetet për nder të Ditës së Pavarësisë u pasuan edhe me një vizitë në Leadership Pavion dhe Pavionin e EBA-s, takime dypalëshe, ekspozitë dhe ceremonia e ngritjes së shfaqjes së flamurit të Republikës së Kosovës në skenën qendrore Al Wasl.

Në ngjarjet e organizuara nga Kosova në amfiteatrin “Milenium” në Dubai, ka mbajtur koncert edhe tenori shqiptar me famë botërore, Ramë Lahaj, bashkë me të cilin ishte edhe sopranoja Ulpiana Aliaj.

Pos koncertit të Lahajt, që titullohet “Zëri i Kosovës së pavarur”, atje është prezantuar me koncert formacioni i ansamblit kombëtar të këngëve dhe valleve “Shota”.