Ministri i Shëndetësisë së Kosovës, Rifat Latifi, ka mbajtur ligjëratë në Kongresin Botëror të Kirurgjisë në Vjenë.
Ai ka ligjëruar me temën “Menaxhimi i lëndimeve me potencial për fatalitet dhe traumave të zemrës”, ka njoftuar Ministria e Shëndetësisë.
“Në këtë ligjëratë, që ishte e ilustruar me video, ai foli për menaxhimin e gjendjes kaotike që krijohet në emergjencë gjatë traumave të ndryshme dhe posaçërisht se si duhet të ndahet i gjithë procesi I menaxhimit në segmente të veçanta si në vendet me sisteme të zhvilluara shëndetësore, ashtu edhe në vendet ku mungojnë resurset e duhura si infrastruktura, përgatitja e stafit të traumës, sikurse në Kosovë”, thuhet nga MSH-ja.
Ai gjatë ligjëratës thuhet se ka ndarë përvojat nga ekipi i tij në menaxhimin e traumave gjatë punës si kirurg.
“Ministri Latifi tha se përmes krijimit të sistemit të traumës do të standardizohet kujdesi i gjithë lëndimeve traumatike në tërë vendin dhe do të ngrihen:
1. Aftësitë klinike të ekipit të traumës;
2. Produktiviteti Akademik: Synohet trajnimi i gjeneratës së ardhshme të kirurgëve të traumës, që do të kenë një gamë të gjerë interesash akademike dhe kërkimore;
3. Aftësitë arsimore dhe edukative: Kirurgët e traumës do të marrin pjesë në mësimdhënie dhe mentorim të specializantëve dhe studentëve të mjekësisë, përmes prezantimeve edhe në mjedise klinike; dhe
4. Zhvillimi i lidershipit: Trajnimet shtesë me sub-spcializime për të zhvilluar gjeneratën tonë të ardhshme të udhëheqësve në kirurgji dhe lëmin e traumës”, tha Latifi.
Në njoftimin për udhëtimin e ministrit në Austri, nga MSH-ja ishte thënë se Latifi do të flasë për sistemin shëndetësor të Kosovës dhe punë e tij si ministër.
Por, në paralajmërimet e Kongresit askund nuk ishte përmendur se Latifi është ministër i Shëndetësisë.
“Ai do të flasë gjatë ligjëratës së tij edhe për shëndetësinë në Kosovë. Sidomos për temat që kanë të bëjnë me emergjencën dhe traumën, sepse në programin e tij për shëndetësinë (qendrat dhe programet e avancuara) janë së paku tetë qendra që kanë të bëjnë me kirurgjinë, ndërsa gjatë konferencës, do të takohet edhe me personalitete pjesëmarrëse nga fushat e shëndetësisë/mjekësisë dhe për këto do të njoftohet publiku sikurse në çdo vizitë të realizuar deri tani apo pjesëmarrje në ngjarje të ndryshme”, ishte thënë nga Zyra e Komunikimit e MSH-së.
Udhëtimet e shpeshta të Latifit janë ndër kritikat më të shpeshta.