Ministri i Jashtëm i Britanisë së Madhe, David Cameron, ka thënë se duhet të tregohet zhgënjim më i madh me Qeverinë e Serbisë, pas sulmit në Banjskë më 24 shtator dhe zgjedhjeve të jashtëzakonshme, për të cilat Perëndimi bëri thirrje për hetim mes dyshimeve për parregullsi të shumta.
Cameron vizitoi Kosovën më 4 janar të këtij viti. Nga Prishtina, ai përsëriti se siguria e Ballkanit është interes nacional i Britanisë së Madhe.
Në mbledhjen e Komisionit për Punë të Jashtme të martën, Cameronit iu parashtruan disa pyetje për situatën në Kosovë nga deputetja Alicia Kearns.
Ministri britanik ka thënë se zhgënjim për Serbinë ka edhe në Bashkimin Evropian e Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Ne pozicionin tonë [të Britanisë së Madhe], duhet të jemi të qartë në qëndrimin dhe politika tona. Ne duhet të tregojmë zhgënjim më të madh për Qeverinë e Serbisë. Nëse BE-ja dhe SHBA-ja ndajnë këtë zhgënjim, unë nuk e di, duhet t’i pyesni ata. Por, nga bisedat që kam pasur kam ndier se ka zhgënjim sepse Banjska ishte një moment i një rreziku të madh”, ka thënë Cameron.
Ai thotë se është i vetëdijshëm se sa i rrezikshëm ka qenë sulmi i 24 shtatorit në Banjskë, ku u vra rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.
“Kemi pamje të qartë se çfarë ndodhi atë ditë. Po t’i shohim armët, numrin e njerëzve – jam i vetëdijshëm se sa i rrezikshëm ishte ai sulm”, ka thënë Cameron.
Sipas Cameronit, Rusia është e interesuar ta destabilizojë Ballkanin më përfaqësuesit e saj, përfshirë Serbinë.
“Pozicioni i Perëndimit ndaj Ballkanit Perëndimor u formua para pushtimit rus dhe ne duhet të mendojmë se çfarë ka ndryshuar. Sepse Rusia dëshiron të bëjë më shumë për të destabilizuar Ballkanin, me përfaqësuesit e saj duke përfshirë Serbinë”, ka deklaruar ai.
Cameron ka theksuar se Britania vazhdon ta mbështetë politikën e dialogut.
“Politika jonë është e ashpër dhe realiste. Stuart Peach [i dërguari i Britanisë për Ballkanin Perëndimor] shkoi në Serbi dhe diskutoi me Vuçiqin pas sulmit në Banjskë. Do të vazhdojmë ta bëjmë këtë”, ka shtuar ministri i Jashtëm i Britanisë.
Cameron ka deklaruar se ndajnë shqetësimin me të tjerët për mënyrën se si kanë shkuar zgjedhjet në Serbi.
Ai u pyet edhe për politikanin opozitar serb, Nikola Sanduloviq, i cili u rrah nga shërbimi sekret i Serbisë (BIA). Përgjegjësinë për rrahjen e ka marrë ish-shefi i BIA-s, Aleksandar Vulin. Megjithatë, avokati i Sanduloviqit ka thënë se Vulini e mori përgjegjësinë për ta mbuluar presidentin Aleksandar Vuçiq.
“Jemi të vetëdijshëm nga raportimet për Sanduloviqin. Po presim më shumë informacione. Është shqetësuese. Do të reagojmë pasi të kemi informacionet e plota”, ka thënë Cameron.