Kolona të gjata pothuajse për çdo ditë, shpeshherë edhe aksidente të shkaktuara e në anën tjetër fare pak punë.
Kjo është gjendja me të cilën po përballen tash e disa muaj me radhë qytetarët në hyrjen kryesore për në kryeqytet, në lagjen “Veternik”, raporton KTV.
Zvarritja e punimet për zgjerimin e rrugës nacionale, bashkë me urën për kyçje në autostradën “Ibrahim Rugova” të kësaj lagjeje të kryeqytetit, po u shkakton vështirësi vozitësve të automjeteve.
Në këtë vendpunishte për dallim prej ditëve të tjera kur shiheshin fare pak punëtorë duke punuar, aty të martën u pa një numër dukshëm më i madh i tyre dhe makinerive.
Shkak si duket u bë vizita e ministrit të Infrastrukturës, Lumir Abdixhiku, të cilit iu tha se punimet do të përfundojnë në fillim të muajit marsit.
Ndërsa menaxheri i projektit Zijadin Mehemeti ka dhënë lajme të mira edhe për aksin kryesor Prishtinë-Ferizaj dhe autostradën.
Projekti i këtij rrethrrotullimi të ri do t’i kushtojë buxhetit të Kosovës rreth 2.5 milionë euro dhe në fillim të tij ishte paraparë që punimet të përfundonin në janar.