Arbëri

Minatorët ende pa paga, paralajmërojnë protestë për të enjten

Minatorët

Minatorët e Trepçës kanë marrë vendim për të organizuar protestë, siç thuhet, paqësore për shprehjen e pakënaqësive - mosrealizimin e pagave për minatorët e Trepçës për më shumë se dy muaj.

Në njoftimin e Sindikatës së Pavarur të Minatorëve të Trepçës thuhet se protesta do të mbahet në Prishtinë pranë Qeverisë së Republikës së Kosovës, të enjten nga ora 12:00.

“Marshimi do të fillojë nga sheshi Zahir Pajaziti  - Prishtinë, deri pranë objektit të Qeverisë së Republikës së Kosovës. Kjo protestë reflekton kërkesën e vetme të minatorëve, e që është pagesa e pagave të papaguar për gati tre muaj”, thuhet në njoftim. “Ta dini që situata e minatorëve është rënduar tej mase, mosekzekutimi i pagave i ka dërguar minatorët në një situatë krize për ekzistencë, andaj si mjet për të kërkuar bukën e gojës për vete dhe familjen e tyre ka mbetur të protestuarit si mjet ligjor dhe demokratik”.

Po bëhen më shumë se dy muaj që kur minatorët e ndërmarrjes publike Trepça në Stan Tërg nuk i kanë marrë pagat për muajin qershor dhe korrik.

Lidhur me zhvillimet në ndërmarrjen “Trepça”, ka reaguar Qeveria e Kosovës. Nga aty kanë thënë se janë të përkushtuar për të përkrahur ndërmarrjen “Trepça” si dhe të gjitha ndërmarrjet tjera publike.

Megjithatë, nuk është përmendur konkretisht edhe çështjen e mos realizimit të pagave, ose zgjidhjen e kërkesave të minatorëve.