Arbëri

Minatorët e Trepçës qe 10 ditë në grevë, s’kanë marrë pagat

Ibrahim Januzi

Ibrahim Januzi

Ibrahim Januzi nga Sindikata e Pavarur e Minatorëve të Trepçës ka thënë se punëtorët e kësaj miniere janë në grevë tash e 10 ditë për shkak se nuk kanë marrë pagat. Minatorët e Trepçës vazhdimisht përballen me probleme për ekzekutimin e pagave.

Në një intervistë në “Interaktiv” të KTV-së të premten, Januzi ka thënë se menaxhmenti i Trepçës nuk po i përmbahet marrëveshjes së arritur në fund të vitit kaluar, ku një grup i deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje arritën marrëveshje me minatorët që pagat të mos vonohen.

“Rreth 1200 punëtorë janë në grevë, ndërsa unë flas për njësinë e Stan Tërgut ku 700 punëtorë janë në grevë për mosrealizim të pagave apo vonesave që na kanë përcjell gjatë gjithë këtij viti. Tash e 10 ditë nuk jemi duke punuar, jemi duke i shprehur pakënaqësitë. Minatorët po i qëndrojnë strikt marrëveshjes së arritur me deputetët, e cila nuk po realizohet nga menaxhmenti. Kemi mungesë të kushteve bazike, por më kryesorja jemi pa paga”, ka thënë ai.

Sipas Januzit, njoftimi për grevë është bërë në uebfaqen e Sindikatës por “për çudi nuk e ka marrë vëmendjen mediale siç ka ndodhur herët e kaluara”.

Ai ka deklaruar se menaxhmenti i Trepçës kanë zhvilluar takim para dy ditësh me minatorët dhe kanë treguar se nuk kanë mundësi t’i ekzekutojnë pagat.

“Minatorët vijnë çdo ditë në vendin e punës. Menaxhmenti ka ardhur para dy dite, hera e parë që kanë komunikuar me minatorët, por nuk ka dhënë diçka konkrete se kur mund t’i marrin pagat. Si rezultat i kësaj nuk u arrit pajtueshmëri të nis puna. Minatorët nuk kanë pranuar të punojnë pa pasur një datë se kur mund t’i dalin pagat. Menaxhmenti po thotë se nuk ka mundësi të paguajë pagat si rezultat i mungesës financiare pasi ndërmarrja është futur në borxhe të mëdha pasi përmbaruesi po i merr obligimet që i kemi si shoqëri aksionare”, ka shtuar Januzi.

Januzi ka pasur kritika për Qeverinë duke thënë se s’ka plan konkret për investime dhe kjo sipas tij është e dyshimtë.

“Proklamimi kinse jemi me minatorët, në anën tjetër kurrkush nuk po është me minatorët. Minatorët janë të diskriminuar, janë të zhytur thellë në probleme në aspektin e sigurisë dhe shëndetit në punë. Për neve është shumë shqetësuese se si Qeveria e Kosovës nuk ka plan konkret për investime sepse kemi mjete të stërvjetëruara, mjete shekullore. Kjo na bën të dyshojmë se Qeveria po do ta mbyllë Trepçën. Minatorët kanë dhënë më të mirën në mungesë të kushteve. Çdo herë na është vonuar paga sikur me tendencë. Vetë fakti që Qeveria pavarësisht thirrjeve tona për investime na ka injoruar tregon se jemi afër kolapsit. Punojmë me mjete shumë të vjetra. Kjo lind dyshimet se Qeveria mund të ketë edhe një mision tjetër”, ka thënë ai.

Përveç pagave, siç thotë Januzi, minatorët kanë mbetur pa shujta qe 50 ditë.

“Shujtat ushqimore ndahen në mjetet financiare. Si rezultat i mosekzekutimit të pagave, s’kemi as shujta”.

Januzi ka thënë se edhe Bordi, i ndryshuar së fundmi nga Qeveria, është i ndikuar politikisht.  

“Bordi nuk po do të komunikojë me minatorët. Kjo do të thotë se ata janë të ndikuar politikisht. Kemi bërë dy kërkesa që të komunikojmë me Bordin. Por s’kemi pasur përgjigje pozitive”, ka përfunduar Januzi.

Më 11 korrik, “CorrWatch”, konsorcium i organizatave të shoqërisë civile (GLPS, GAP dhe INDEP), ka bërë të ditur se ndërmarrja Trepça është ajo që ka operuar me më së shumti humbje në vitin 2023, rreth 5.4 milionë euro. Sipas “CorrWatch”, kjo ndërmarrje operoi me humbje edhe pse u subvencionua me 8.4 milionë euro nga Qeveria po atë vit.