Arbëri

Minatorët e Trepçës kërkojnë që t’u ekzekutohen me kohë dhe të plota pagat, kritikojnë menaxhmentin

Trepca - Stanterg

Sindikata e Pavarur e Minatorëve të Trepçës ka njoftuar se minatorët tash e sa kohë po përballen me mosekzekutimin me kohë të pagës. 

Në reagimin e Sindikatës është thënë se është bërë traditë që “menaxherët dhe drejtuesit e Trepçcës SH.A., mospunën e tyre ta adresojnë në drejtim të minatorëve, duke ua vënë fajin për dështimin e ndërmarrjes”. 

Menaxhmenti i Trepçës ka njoftuar se minatorët e Stan Gërgut që nga 14 qershori, më saktësisht punëtorët e ndërrimit të dytë nuk po hyjnë në minierë. 

“Ditën e njëjtë të gjithë të punësuarve në Trepça Sh.A., iu janë paguar pagat në vlerë prej 68% të pagës neto për muajin e kaluar, maj 2024. Ne si menaxhment jemi zotuar se ditëve në vijim do të procedojmë edhe me pjesën tjetër, në rast se prodhimi nuk ka ngecje. Veprimet e ndërrimit të dytë të datës 14 qershor ishin të paparalajmëruara. Punëtorët tjerë ditëve në vijim gjithashtu kanë refuzuar të punojnë.  Si asnjëherë më parë, Sindikata e Minatorëve të Trepçës nuk e ka marrë përsipër organizimin, nuk ka Këshill Grevist e as grup të punëtorëve të cilët e marrin përgjegjësinë për mospunë-bojkot. Komunikimet e menaxhmentit me stafin dhe me personelin në nivele të ndryshme janë realizuar në baza ditore. Takimi i fundit u realizua sot në orët e mëngjesit. Punëtorët janë informuar se ditët e humbura nuk do të kompensohen dhe kjo është humbje edhe për menaxhmentin edhe për punëtorët. Të gjitha njësitet tjera janë duke punuar me intensitet të shtuar. Menaxhmenti në anën tjetër nuk do të ndalet së vepruari në gjetjen e zgjidhjes edhe për sfidën e jashtëzakonshme të “Stan Tërgut”. Menaxhmenti për minatorët, minatorët për Trepçën!”, u tha në reagimin e menaxhmentit më herët të enjten. 

Por, Sindikata ka thënë se me këtë postim menaxhmenti është munduar t’i shantazhojë, frikësoijë dhe etiketojë minatorët si “bojkotues e sabotues të punës”. 

“Qasja e tillë fyese, joprofesionale dhe duke tentuar që të shantazhojë minatorët jo vetëm që është e papranueshme, por minatorët duan KËRKIM FALJE PUBLIKE nga menaxhmenti. Por ta dini se minatorët nuk mund t’i shantozhoni e as t’i frikësoni asnjëherë”, u tha nga Sindikata e Minatorëve. “Pretendimet për ngecje në prodhim janë të paqëndrueshme. Ndërsa joprofesionalizmi dhe padijenia totale e këtij menaxhmenti janë evidente dhe s’dojnë koment”.

Sindikata ka thënë se muajin e kaluar ka pasur rezultate të jashtëzakonshme në prodhim, krahasuar me kushte ekstrem të vështira të punës. 

Sindikata i ka bërë thirrje Qeverisë për të gjetur zgjidhje për evitim të problemeve financiare në ndërmarrje, e të bëhen investime kapitale, duke e vlerësuar si rruga e vetme e daljes nga kaosi dhe problemet serioze në të cilat ndodhet ndërmarrja. 

“Kjo situatë e rëndë në ndërmarrje kërkon reagim të shpejt dhe qasje serioze, si përpjekje për të shmangur problemet e vazhdueshme.  Ekzekutimi në kohë dhe i plotë i pagave për minatorët, është obligim dhe detyrë e institucioneve përgjegjëse, andaj edhe kërkojmë realizimin e tyre menjeherë”, tha Sindikata.