Minatorët e Flotacionit të Kishnicës kanë hyrë në grevë si shkak i mos ekzekutimit të pagave.
Ata përmes kësaj greve kërkojnë nivelizimin e pagave, mosvonesën e pagave, ri-gjenerimin e vendeve të punës, të përmirësohen kushtet e punës.
Valdete Osmani, njëra nga shumë punonjëset e kësaj njësie biznesore, ka thënë se shkaku i mungesës së pagesës vazhdimi i punës për punëtorët është bërë gati i pamundur.
“Është e disata herë që njësia e Kishnicës diskriminohet me mosmarrjen e pagave, ashtu siç i marrin edhe njësitë e tjera të ‘Trepçës’, e që kjo bëhet nga udhëheqja e ndërmarrjes ‘Trepça’, të cilët vazhdojnë të na diskriminojnë me mosmarrjen e pagave, sikur punëtorët e njësive të tjera. Kemi biseduar se kur do të ekzekutohen pagat dhe nuk ka asnjë përgjigje nga menaxhmenti për mosdaljen e pagave”, ka thënë ajo.
Për shkak të problemit, minatorët në disa raste kanë refuzuar të punojnë.
E në ndërmarrjen “Trepça”, e cila e menaxhon njësinë biznesore në Kishnicë, e kanë arsyetuar mosekzekutimin e pagave me bllokimin e llogarive bankare.