Arbëri

Milo: Rrënjët e shtetit të Kosovës janë te lufta e UÇK-së dhe Konferenca e Rambujesë

Paskal Milo - Konferenca e Rambujesë

Ish-ministri i Punëve të Jashtme i Shqipërisë, Paskal Milo, ka thënë se pa mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Britanisë së Madhe vështirë se do të zgjidhej çështja e Kosovës. Milo tha se rrënjët e shtetit të Kosovës janë në luftën e UÇK-së, ndërsa në aspektin diplomatik fillojnë në Konferencën e Rambujesë, te vendimmarrësit e mëdhenj, siç i quajti, nënshkruesit e Marrëveshjes që derivoi nga kjo ngjarje.

Komentet ish-diplomati Milo i bëri gjatë një ligjërate në Fakultetin Filozofik, me temën “Roli i diplomacisë shqiptare në Konferencën e Rambujesë dhe përgjatë ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë”, e organizuar nga Ambasada e Shqipërisë në Kosovë me rastrin e 80-vjetorit të çlirimit të Shqipërisë dhe 25-vjetorit të çlirimit të Kosovës.

Në këtë konferencë, përpos profesorëve e studentëve të shumtë, mori pjesë edhe njëri nga nënshkruesit e Marrëveshjes së Rambujesë, Veton Surroi.

Milo tha se në Francë, gjatë konferencës, mori epilog rruga e nisur nga Ismail Qemaili dhe Isa Boletini më 1912-n.

“Vetëm burra të tillë, vendimmarrës të mëdhenj, siç ishin anëtarët e delegacionit, gjithsecili me veçoritë e veta, me kontributet e veta, bënë që ai moment final shumë delikat të përfundonte me shumë sukses, ishte e pamundur ta mendoje. Unë kam qenë dëshmitar final dhe Vetoni e di, apo Bujari e di, apo shumë të tjerë e dinë, as vetë nuk e mendoja se nga më doli ajo energji dhe ajo qartësi mendimi për të vepruar sidomos në takimin e dytë. Vetoni ka qenë në dy takimet që bëmë në finale brenda kështjellës dhe ai vendim dramatik, ai përcaktoi rrugën e së ardhmes, kur Vetoni firmosi në emër të delegacionit që i tha po marrëveshjes. Nuk e di a arrini dot, a arrin mendja njerëzore ta kap dimensionin e momentit, kaq i rëndësishëm ishte se të tjerat vijnë nga pas. E bëmë, por e bëmë të gjithë bashkë, prandaj kemi dhe kënaqësinë, jemi dhe krenar që në një moment të caktuar e bëmë bashkë atë që Ismail Qemaili me Isa Boletinin edhe me shumë patriotë të tjerë shqiptarë të të gjitha trojeve, bënë në  vitin 1912. Kështu e do historia që ta përmendim, ajo çka ndodhi, pavarësia e Kosovës pastaj që erdhi natyrshëm, i ka rrënjët atje”, tha Milo.  

Milo foli edhe për momentet që i cilësoi si më delikatet, kur edhe përfaqësues shqiptarë të Kosovës në Rambuje, nuk pranonin të nënshkruanin marrëveshjen. Sipas Milos, çështja konsiderohej e rëndësishme edhe për politikën e brendshme të Shteteve të Bashkuara në atë kohë dhe administratën e udhëhequr nga presidenti Bill Clinton.

“Madeline Albright të themi atë që është tash, u investua kaq shumë edhe Klinton, sa në qoftë se nuk do të nënshkruhej marrëveshja, ajo do të konsiderohej një humbje dhe një disfatë politike për vetë Klintonin dhe Madeline Albright, partinë e tyre brenda Amerikës, sepse investimi ishte shumë i madh. Pra, nuk bëhej fjalë vetëm për Kosovën dhe të ardhmen e saj po bëhej fjalë edhe për fatin politik të administratës Klinton dhe prandaj Madeline Albright kërkoi me këmbëngulje nuk e bindi Hashimin, dhe jo vetëm Hashimin por edhe një pjesë të delegacionit”, tha Milo. 

Milo tha se si garanci palës shqiptare u shërbeu pika e 7 e marrëveshjes, në të cilën theksohej se pas tre vjetësh të implementimit, do të mbahet një takim ndërkombëtar që të vendosë një mekanizëm për një zgjidhje finale për Kosovën, me bazë në vullnetin e popullit të saj. Ish-kryediplomati i Shqipërisë tha se kjo duhej lexuar si referendum. 

Milo tregoi se ish-sekretarja Albright i kërkoi atij ndërhyrje direkte, për të bindur pjesën e delegacionit shqiptar që përfaqësonte UÇK-në për nënshkrimin e marrëveshjes.

“U thuaj – më tha – shqiptarëve të Kosovës, u thuaj të mos e humbasin këtë shans të madh sepse me përsëriti këtë fjalën që neve propozojmë vullneti i popullit do të thotë referendum sepse nuk na lejojnë, është Dini që po na pengon, nuk do, kemi rezerva. Unë mora për sipër që do t’i them”, tha Milo. 
Telefonata të ngjashme, Milo tha se mori edhe nga anëtarë të delegacionit shqiptar.

“Dhe pas asaj më ka marrë në telefon Veton Surroi dhe më ka thënë, meqë ndodhet këtu, po të citoj Veton në mënyrë të veçantë, më ka thënë fol me djemtë e UÇK-së. Këtë term ke përdorur në bisedën që kemi bërë në atë mëngjes”, tha Milo. 

Ish-diplomati Milo, tha se para negociatave në Rambuje, Shqipëria ndodhej në presionin ndërkombëtar që ta shpallte UÇK-në organizatë terroriste.

“Erdhi Lufta çlirimtare erdhi Ushtria Çlirimtare e Kosovës që filloi të aktivizohet dhe shteti shqiptar nuk mund të rrinte indiferent. Ne kemi pasur presione për të qenë të sinqertë, që të mos e njihnim Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Ne kemi pasur presione dhe nga partnerët tanë ndërkombëtarë madje që, siç e cilësuan në fillim, si terroriste. Na bënin presion që edhe neve ta cilësonim si terroriste në fillim. Pas janarit të vitit 1998. Sigurisht që ne nuk e bëmë”, deklaroi Milo.

Marrëveshja e Rambujesë u nënshkrua nga Ibrahim Rugova, Hashim Thaçi, Veton Surroi dhe Rexhep Qosja në emër të Kosovës më 18 mars 1999. Delegacioni i Jugosllavisë nuk kishte pranuar të vinte firmën.

Pas refuzimit të palës serbe për nënshkrim, Aleanca Veriatlantike (NATO), filloi bombardimin e caqeve serbe, më 24 mars. Kjo fushatë zgjati për 78 ditë dhe rezultoi me largimin e të gjitha forcave ushtarake dhe policore serbe nga Kosova.