Arbëri

Millaku ndan rrugët me LVV-në, i bashkohet LDK-së

Drita Millaku dhe Lumir Abdixhiku

Drita Millaku dhe Lumir Abdixhiku

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Drita Millaku, i është bashkuar Lidhjes Demokratike të Kosovës(LDK). 

Për këtë ka njoftuar kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku. 

“Ajo i bashkohet familjes sonë politike në rrugëtimin e përbashkët që na pret përpara. Ky vendim i saj për të qenë pjesë e radhëve tona është jo vetëm një dëshmi e përkushtimit të saj politik, por gjithashtu një tregues i qartë se vizioni dhe programin i LDK-së për Republikën, është i duhuri sot”, ka shkruar Abdixhiku në  Facebook.

Ai ka thënë se “si një figurë e respektuar në Prizren dhe një deputete e mandatuar për dy herë, ajo na vjen si aset i rëndësishëm partiak, dhe si kuadër për programin tonë politik dhe të ardhmen e vendit tonë”.

“Me Dritën kemi diskutuar gjatë për vizionin tonë të përbashkët për Republikën; për arsimin në veçanti, për programin tonë politik dhe të ardhmen e vendit tonë. Drita ka një pasion për librin, por edhe për të krijuar mundësi për të rinjtë dhe gratë në Kosovë. Ajo e kupton rëndësinë e bashkëpunimit dhe e sheh ndërtimin e një rrugëtimi të përbashkët si një mënyrë për të realizuar ndryshime të qëndrueshme, ato që sot LDK po i ofron. Besimi i saj në potencialin e Kosovës, së bashku me përkushtimin e saj për arsim janë motive që e bëjnë Dritën tejet të rëndësishme në këtë proces”, ka shkruar Abdixhiku.

Ditë më parë nga Vetëvendosja janë larguar edhe deputetët Eman Rrahmani dhe Fisnik Korenica. Ata i janë bashkuar Listës për Familjen.

Postimi i Abdixhikut: