Për tre vjet, mbi 2 milionë euro janë shpenzuar nga buxheti i shtetit për qiranë e Ministrisë së Bujqësisë dhe për Agjencinë e Zhvillimit të Bujqësisë. Ministria ka paralajmëruar se do ta vazhdojë kontratën që skadon në gusht, ani se objekti i ish-Komitetit, që është në pronësi shtetërore, nuk është kthyer në rezidencë presidenciale, arsye kjo e zhvendosjes me qira të Ministrisë së Bujqësisë tre vjet më parë
Saktësisht 1 milion e 10 mijë e 880 euro është shuma që deri në muajin gusht do ta përfitojë nga shteti pronari i kompleksit të ish-“Ramiz Sadikut”, për hapësirën që prej tre vjetësh e ka lëshuar me qira për Ministrinë e Bujqësisë. Po kaq para do t’i fitojë edhe për hapësirën tjetër, ku gjatë kësaj periudhe është zhvendosur edhe Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë (AZHB).
Të dyja kontratat skadojnë në gusht, por asnjë nga këto dy institucione nuk do të rikthehen në objekte shtetërore, ku ishin më herët – në ndërtesën e ish-“Komitetit” dhe në godinën e ish-Bankës së Lubjanës.
Zhvendosja nga objekti i shtetit në atë privat është bërë pas synimeve të ish-presidentit Hashim Thaçi, që objektin në qendër të Prishtinës ta kthejë në rezidencë presidenciale. Megjithëse pas ardhjes së Vjosa Osmanit në krye të shtetit Presidenca është tërhequr nga ky synim, Ministria e Bujqësisë nuk do të kthehet në ish-Komitet.
“Kontrata e qirasë ka afat deri më 31.8.2022, ndërsa planifikohet që të vazhdohet me kushte të reja në aneks-kontratë, të cilat do të jenë më të favorshme, duke përfshirë këtu edhe zbritjen e çmimit për metër katror dhe ofrimin e hapësirave pa kompensim për arkivin e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, dhe Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë, si dhe parking sipas kërkesës sonë”, thuhet në përgjigjen që Ministria e Bujqësisë e ka dhënë për KOHËN.
Në këtë institucion kanë thënë se kanë kërkuar zhvendosjen në një ndërtesë me pronësi shtetërore, por nuk u ka bërë zgjidhje Ministria e Punëve të Brendshme që menaxhon me objektet ku janë të vendosura institucionet.
“Krahas kërkesave, kemi zhvilluar edhe takime zyrtare për të shqyrtuar çështjen e sigurimit të një objekti me qëllim të mos krijimit të shpenzimeve”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Bujqësisë.
Që nga e premtja, Ministria e Punëve të Brendshme nuk ka kthyer përgjigje në pyetjet e KOHËS përkitazi me këtë çështje.
Në vitin 2019, Ministria e Bujqësisë braktisi ndërtesën e ish-Komitetit, meqë ishte vendosur që objekti të kthehej në rezidencë presidenciale. Por, atëkohë, nga i njëjti objekt pati refuzuar të largohej stafi i Ministrisë së Kulturës, ani se ishte kontraktuar hapësirë me qira edhe për të.
Në Ministrinë e Bujqësisë thanë se shumë nga zyrat e ish-Komitet, që i takonin asaj, ndërkohë janë marrë nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS).
Informatën e konfirmuan në Ministrinë e Kulturës.
“Për shkak të nevojës për hapësirë ne kemi transferuar një pjesë të Departamentit të Kulturës nga jashtë objektit tonë, kemi bërë akomodimin e stafit nga zyrat e mbingarkuara brenda objektit, kemi akomoduar mbi 100 praktikantë të cilët MKRS-ja i ka rekrutuar në bazë të memorandumit të bashkëpunimit që ka me universitetin e Prishtinës ‘Hasan Prishtina’, si dhe kemi ndarë hapësirat për Departamentin e Sportit, i cili departament ka mbi 15 vjet që ka funksionuar jashtë objektit të MKRS-së, fakt i cili ka shkaktuar probleme dhe pengesa të vazhdueshme në funksionimin e brendshëm të MKRS-së”, thuhet në përgjigjen e kësaj ministrie.
Ndarjen e objektit me Ministrinë e Bujqësisë, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e ka konsideruar “të vështirë”.
“Ne kemi pasur shumë vështirësi nga përvoja e së kaluarës me Ministrinë e Bujqësisë për shkak të natyrës krejtësisht të ndryshme të punës, duke filluar nga recepcioni, palët, vizitat, pagesat e përbashkëta për shërbimet e ndryshme të objektit etj.”, vijohet në përgjigjen e Ministrisë së Kulturës.
Me ta marrë detyrën, presidentja Vjosa Osmani ka braktisur nismën për ta vendosur Presidencën në ndërtesën e ish-Komitetit.
Në kabinetin e saj thanë se ky vendim i është kumtuar ekzekutivit.
“Në takimin e mbajtur më 7 qershor 2021 presidentja Vjosa Osmani ia ka bërë të qartë ministrit të Kulturës, z. Çeku, se ajo nuk synon që t’i vazhdojë planet për zhvendosjen e Zyrës së Presidentit në objektin e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit”, thuhet në përgjigjen e këshilltarit për media të presidentes, Bekim Kupina. “Po ashtu, ajo e ka njoftuar ministrin Çeku se e përkrah çdo nismë të cilën Qeveria e Republikës, përkatësisht Ministria e Kulturës, do ta ndërmarrë për ruajtjen e këtij objekti si objekt të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit”.
Që nga shtatori i 2019-s e deri më tani, duke llogaritur edhe muajin maj, shteti ka paguar 926 mijë e 640 euro për qiranë e zyrave në të cilat është akomoduar Ministria e Bujqësisë pas zhvendosjes. Deri në fund të kontratës, në muajin gusht do të paguajë edhe 84 mijë e 240 euro, që në total nga shtatori i 2019-s e deri në gusht të 2022-tës i bie të paguajë 1 milionë e 10 mijë e 880 euro. Të njëjtat shuma janë dhe do të paguhen edhe për AZHB-në.
Pas kërkesës së Presidencës për ta lëshuar ministritë ndërtesën e ish-Komitetit, zyrtarë të Qeverisë me procedurë të shpejtë negocimi kontraktuan ndërtesën e ish-“Ramiz Sadikut” për t’u vendosur me qira, e cila është në pronësi të kompanisë “A2 GROUP”, ku 75 për qind të aksioneve i ka biznesmeni nga Shqipëria, Gazmend Demi. Biznesmeni Demi ishte dekoruar nga presidenti Thaçi me “Urdhrin e Pavarësisë”.
Ishte bërë kjo procedurë për qira pak kohë përpara se të dorëzohej pushteti nga Qeveria Haradinaj te Qeveria Kurti I.
E, përderisa Ministria e Bujqësisë paguan milionat për qira, është partia e Ramush Haradinajt ajo që ka selinë pikërisht në një objekt që i përket një agjencie që funksionon nën kupolën e Ministrisë së Bujqësisë. Objekti që e shfrytëzon AAK-ja është i Institutit Bujqësor të Kosovës. Ka bodrumin, katin përdhes dhe dy kate të tjera, me një hapësirë prej rreth 1 mijë metrash katrorë. Ai ndodhet në lagjen “Ulpiana” të Prishtinës.
Pjesë të madhe të hapësirës AAK-ja mban me një qira fare simbolike, 2.5 euro për metër katror. Kësisoj, kontrata me këtë institucion është 2,450 euro për muaj. Ndërkaq, Ministria paguan më shumë se shtatëfish më shtrenjtë për qiranë ku e ka dislokuar stafin. Qiranë që nga shtatori i sivjetmë Ministria e paguan 18 euro për metër katror.