Rreth 11 mijë persona të prekur nga gripi sezonal vetëm brenda 2 muajve të fundit kanë kërkuar ndihmë mjekësore nëpër Qendrat e Mjekësisë Familjare në gjithë vendin.
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka bërë të ditur se prej tyre 9 mijë e 545 raste janë të dyshimta me grip, 1 mijë e 504 me infeksione respiratore akute dhe 9 të tjera me infeksion të rëndë respirator akut.
Dy nga këto raste, pas analizave, kanë dalë pozitiv me gripin e tipit A dhe pacientët tashmë janë izoluar në Klinikën Infektive të SHSKUK-së, raporton KTV.
Infektologu i kësaj klinike, Arben Vishaj, ka thënë se njëri pacient i moshës së vjetër është në gjendje të rëndë, ndërsa pacienti tjetër 21-vjeçar është në gjendje më të mirë.
Sipas Vishajt, tashmë po i presin analizat e këtyre dy pacientëve nga Instituti Kombëtar për të kuptuar nivelin e rrezikshmërisë së këtij gripi.
Infektologu Vishaj ka shpjeguar se simptomat e këtij gripi janë kollitja, temperatura, ligështimi, keqësimi i frymëmarrjes dhe mund të preken të gjitha moshat, porse gjasat më të mëdha janë tek ata persona me sëmundje kronike.
Ndërkohë, njëra prej shumë masave që duhet ndërmarrë për mbrojtje nga ky grip, e që rekomandohet nga Instituti, është vaksinimi i personave të moshës mbi 65-vjeçare.
Por, vaksinat të cilat jepen falas dhe e rrisin fuqinë mbrojtëse ndaj viruseve më agresive në qarkullim të gripit sezonal, ende nuk kanë arritur në Kosovë, pavarësisht faktit se të njëjtat është dashur të merren qysh në muajin tetor.
Tri komunat me numrin më të madh me të prekur nga gripi janë Prishtina, e pasuar nga Prizreni dhe Podujeva, por që, sipas Institutit, nuk e kalojnë pragun epidemik.
Ministria e Shëndetësisë ditë më parë ka konfirmuar për KTV-në se vaksinat nisin të shpërndahen javën e ardhshme.
Sidoqoftë, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë së Kosovës ka bërë të ditur se ka rritur vigjilencën për t’u përballur me raste eventuale të gripit dhe është në gjendje gatishmërie të përcjellë situatën epidemiologjike.