Mijëra padi ndaj shtetit të Kosovës janë deponuar vetëm muajve të fundit për moszbatim të së drejtës në pension të dyfishtë, kanë bërë të ditur zyrtarë gjyqësorë në vend.
Shifrat janë bërë publike në tryezën e diskutimit me temën “(Mos)Zbatimi i të drejtave të pensionistëve në praktikë dhe ngarkimi i gjyqësorit me lëndë”, organizuar nga Instituti i Kosovës për Drejtësi të premten.
Drejtori ekzekutiv i IKD-së, Ehat Miftaraj, ka bërë të ditur se Qendra për Ndihmë Juridike Falas e IKD-së ka depozituar mbi 600 padi për moszbatim të pensionimit të dyfishtë. Miftaraj ka thënë se IKD-ja ka analizuar mohimin e kësaj të drejte duke u fokusuar në ligjet për statusin dhe të drejtat e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve të UÇK-së, viktimave civile dhe familjarëve të tyre.
“Në zyrat e Qendrës për Ndihmë Juridike falas të IKD-së vijnë qytetarë të cilët janë të moshave të shtyra, ka edhe 80-90 vjeçarë, të cilët fatkeqësisht enden jo vetëm zyrave të IKD-së por edhe zyrave në departamente të pensioneve, në komunat ku ata janë”, ka thënë Miftaraj.
Kryetari i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), Albert Zogaj, ka shprehur shqetësimin për trefishimin e lëndëve në sistemin gjyqësor për shkak të moszbatimit të ligjeve në mënyrë të drejtë.
“Situata e pensionit të dyfishtë ose me dy skema pensionale veçse po merr dimension në procedura gjyqësore dhe besoj që duhet kjo të reflektojë në përmbushje të vullnetshme. Po e themi edhe në mënyrë specifike se të gjitha kategoritë meritojnë respektin por nuk duhet me e harru asnjëri prej nesh që norma ligjore në fakt e ka edhe dimensionin social dhe human brenda vetës dhe në këtë rast të gjitha skemat sociale ndërtohen mbi këtë koncept. Prandaj, ky dimension duhet të shtrihet edhe në zbatimin e normës dhe jo në këtë situatën kur njerëzit vendosen në dilemë dhe në vështirësi për realizimin e së drejtësi”, ka thënë Zogaj, sipas komunikatës nga IKD-ja.
Gjyqtari Rexhep Gashi nga Themelorja në Prishtinë ka thënë se gjatë muajve mars-maj kishin ardhur rreth 1200 padi lidhur me pensione, duke ngarkuar gjykatën.
“Qytetarët përmes edhe Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas përmes Institutit të Kosovës për Drejtësi dhe instancave tjera janë duke ushtruar padi me një numër jashtëzakonisht të lartë. Unë nga shkrimorja e gjykatës të Departamentit Administrativ e kom marrë një statistikë për muajt mars- maj këtij viti tre mujor ku ka rezultuar që vetëm për lëndë e kësaj natyre që kanë të bëjnë me pensione në gjykatë kanë ardhur diku 1194 padi apo përafërsisht rreth 1200 padi duke marr parasysh faktin që jemi vetëm 7 gjyqtarë kjo paraqet ngarkesë për gjykatën”, ka thënë ai.
Zëvendësuesja e Drejtores së Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas, Flutura Berbati-Zena, ka vënë në dukje se kërkesat nga qytetarët për pensione të dyfishta janë dyfishuar, duke shprehur shqetësim për rritjen e tyre.
“Sa i përket vitit 2023, ky numër ka shënuar rritje për 50 për qind. Gjatë vitit 2023 janë trajtuar 503 raste që kanë të bëjnë me çështjet e pensioneve dhe 77 kanë qenë këshilla juridike, 120 padi, 185 ankesa, 24 parashtresa, 94 kërkesa dhe 4 lëndë të referuara e avokatët”, ka shtuar ajo.
Berbati-Zena lidhur me vitin 2024 ka thënë se vetëm në 5 muajt e parë të këtij viti në Agjencinë për Ndihmë Juridike Falas, Berbati-Zena ka thënë se janë proceduar 2 mijë e 775 padi në drejtim të Departamentit për Çështje Administrative në Gjykatën Themelore në Prishtinë, 23 ankesa dhe 4 kërkesa në departamentin e pensioneve në Ministrinë e Financave.
Avokati i Popullit, Naim Qelaj, ka kritikuar veprimet e autoriteteve publike për mosrespektimin e të drejtave të qytetarëve në këtë çështje.
“Është çështje shumë shqetësuese dhe serioze e që padyshim për Avokatin e Popullit paraqet shqetësim të theksuar kur kem të bëjmë me veprimet e autoriteteve publike karshi qytetarëve të saj”, ka thënë ai.
Qelaj ka deklaruar se zyrtarët e administratës pensionale të Kosovës detyrohen që qytetarëve t’u japin alternativa të gabuara që mund të hyjnë edhe në dimension të Këshillës Juridike të gabuar dhe vendosjes së një situate që me heq dorë nga një e drejtë e cila ligjërisht nuk mund të cenohet.
Bajram Çerkinaj nga Qendra Burimore për Personat e Zhdukur ndau sfidat që përballet në zgjedhjen e pensioneve për personat e zhdukur.
“Kur të parën ditë më kanë thanë se nuk ke të drejtë Bajram Çerkini, 38 vjet kam punuar në Trepçë, a po e do pensionin kontributdhënës apo kompensimin e djalit të cilin s’e ki, ajo situatë mu ka dukë shumë e rëndë edhe sot po më duket e rëndë”, ka deklaruar ai.
Koordinatorja e Qendrës për Ndihë Juridike Falas, Arrita Rezniqi, ka thënë se janë pranuar shumë ankesa dhe padi lidhur me këtë çështje dhe u angazhuan të trajtojnë çdo rast në mënyrë individuale.
Tryeza i përfundoi punimet e saj, me konkluzionet që Qeveria e Kosovës, respektivisht Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve të bëjnë zbatimin e drejtë të ligjit në raport me pensionistët e Kosovës, të cilët janë edhe përfitues të pensioneve sipas ligjeve të tjera të veçanta.
IKD-ja ka thënë se përfaqësuesit e Qeverisë kanë qenë të ftuar, por s’i janë përgjigjur ftesës për pjesëmarrje në tryezë.