Ehat Miftaraj, drejtor ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi, ka thënë se rrëzimi i Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës nga Gjykata Kushtetuese, është mesazh për Lëvizjen Vetëvendosje në pushtet se “51-përqindëshi nuk mjafton”. Ai ia ka atribuuar rrëzimin e ligjit “mungesës së profesionalizmit” në këtë parti.
Kushtetuesja të premten njoftoi për rrëzimin e këtij ligji duke thënë se ai bie ndesh me disa nene të Kushtetutës.
Miftaraj ka thënë po ashtu se dy partitë opozitare, që çuan ligjin në Kushtetuese, PDK-ja dhe LDK-ja, “nuk duhet të ndihen krenare me gjendjen në sistemin prokurorial të Kosovës”.
“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese duhet të respektohet dhe zbatohet pa asnjë rezervë. Komentimi apo gjykimi në publik i vendimit të gjykatës është ndërhyrje e drejtpërdrejtë në pavarësinë e kësaj gjykate. PDK dhe LDK nuk duhet të ndihen krenar me gjendjen në sistemin prokurorial të Kosovës, të cilin edhe sot e mbrojnë me të gjitha mjetet në dispozicion. Këto parti nuk duan ndryshime në KPK, por duan status quo. Partia ne pushtet mbase e merr mesazhin se 51% nuk mjafton. Mungesa e profesionalizmit dhe seriozitetit për të hartuar politika në pajtim me Kushtetutë është evidente. Arroganca se mund të bëjnë çka të duan sjell këtë rezultat”, ka shkruar Miftaraj në Facebook.
Miftaraj ka shtuar po ashtu se ka besuar që ky ligj do t’i kalojë filtrat e Kushtetueses.